Vendoset “regjim kazermë” te Skënderbeu, klubi nuk toleron askënd në rast se thyen rregullat e vendosura prej tyre. Duket se i pari që e ka pësuar ka qenë mesfushori Rafel Soza, i cili është gjobitur pasi foli me mediat.Ka më shumë se një javë që të gjithë korçarët janë “censuruar” dhe nuk lejohen të flasin. Ky ka qenë një vendim i drejtuesve të klubit të futbollit dhe në mënyrë të veçantë i presidentit të kësaj skuadre, Agim Zeqo. Ky i fundit e ka bërë edhe publik vendimin e tij, duke dashur që skuadrën ta ketë më nën kontroll, por dhe përqendrimi i lojtarëve të jetë maksimal për ndeshjet e mbetura. Teksa pritej që heshtja e lojtarëve dhe e gjithë ekipit me përjashtim të trajnerit dhe presidentit të tij të prishej pas ndeshjes me Laçin, kjo nuk ka ndodhur. Zeqo ua ka ripërsëritur vendimin e formës së prerë lojtarëve të tij, se nuk do të flisnin për asnjë media sportive në vend deri në një urdhër të dytë. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu me Rafael Sozën. Ndoshta lojtarit nuk i është përkthyer ky rregull në gjuhën e tij, gjë që tashmë do e ndëshkojë shumë rëndë. Argjentinasi një ditë më parë ka folur gjerë e gjatë në një të përditshme sportive, duke treguar gjithçka ndodh me Skënderbeun, ndërkohë që kjo i ka kushtuar me një gjobë të konsiderueshme. Fill pas lajmit, presidenti Agim Zeqo ka bërë të ditur se ka urdhëruar drejtuesit e klubit që për thyerjen e heshtjes të marrin një masë ndaj lojtarit, që përveçse vërejtjes ndaj tij, ajo do të shoqërohet dhe me një gjobë, vlera e së cilës nuk bëhet e ditur. Në fakt, gjithçka duket tejet absurde, ndërsa kjo frymë e re në të cilën po përfshihet ekipi duket edhe më e çuditshme. Vendimi për të ‘censuruar’ gjithkënd të flasë për të shprehur opinionin e tij, në një vend të mendimit dhe të fjalës së lirë, duket krejt i pavend. Ndonëse drejtuesit e klubit bardhekuq gjithçka e lidhin me mbajtjen nën kontroll të situatës në grup, e cila duhet të prodhojë dhe disa fitore të tjera për të shkuar përfundimisht drejt titullit. Gjithsesi, “viktima” e parë e ‘censurës’ është bërë një i huaj, që njëherësh është dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe protagonist i suksesit të deritanishëm të Skënderbeut.
Ivan Joliç, i larguari i parë nga Skënderbeu
Ivan Joliç e mbyll kampionatin me korçarët nga stoli. E gjithë kjo vjen si rezultat i formës jo fort mbresëlënëse që ka shfaqur në fushën e lojës. Në fakt, në Korçë Joliç ka mundur që përgjatë gjithë sezonit të shënojë vetëm katër gola, të cilët nuk mund të konsiderohen pak, kur jo në pak raste edhe mbrojtësit e skuadrës kanë shënuar për fitoren e ekipit po kaq. Tashmë Joliç është ulur përgjithmonë në stol, teksa rinovimi i kontratës me të ka shumë mundësi të mos ndodhë. Burime nga klubi i futbollit bëjnë të ditura se çdo lojtari do t’i rishikohet kontrata, ndërsa për boshnjakun duket se gjithçka do të mbyllet pas ndeshjes së fundit me Flamurtarin. Gjithsesi, lojtari ka javë që është ulur në stol, madje në lojë ka një kohë të konsiderueshme që nuk ka hyrë.











