Çelja e negociatave për të gjithë kapitujt për anëtarësimin në BE, Spiropali: Reflekton suksesin e reformave, arritje historike!

Nov 17, 2025 | 10:13

Sukses i reformave dhe angazhim i institucioneve shqiptare. Kështu e vlerëson çeljen e të gjithë kapitujve për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

rama kos bjerre

Teksa njofton se sot (17 nëntor) u hap edhe grupkapitulli i fundit për bisedimet në grupin e “Bujqësisë, Kohezionit dhe Burimet”, theksohet se Shqipëria ka realizuar me sukses, duke shënuar arritje historike për vendin.

“Ky moment dëshmon se reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit kanë dhënë rezultate konkrete, të vlerësuara dhe të njohura nga partnerët tanë europianë”, theksohet mes të tjerash në deklaratën e lëshuar nga institucioni që drejtohet nga Elisa Spiropali..

Njoftimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:

“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se sot, në Konferencën e shtatë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë u hapën bisedimet për pesë kapitujt e mbetur të grupit “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.

Më ketë akt, Shqipëria ka realizuar me sukses, sikurse ishte angazhuar, hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke shënuar një arritje historike për shtetin dhe qytetarët shqiptarë.

Ky moment dëshmon se reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit kanë dhënë rezultate konkrete, të vlerësuara dhe të njohura nga partnerët tanë europianë.

Hapja e kapitujve reflekton:

* përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë ndaj reformave të thella dhe transformuese;

* angazhimin e institucioneve shqiptare për përmbushjen e standardeve europiane;

* bashkëpunimin e shkëlqyer me Komisionin Europian dhe vendet anëtare;

* mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë për rrugën europiane.

Shqipëria do të hyjë së shpejti në një fazë të re, po aq sfiduese sa edhe vendimtare: mbylljen e kapitujve dhe përfundimin e negociatave, përmes forcimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit, rritjes së transparencës, konsolidimit të institucioneve, avancimit të reformave ekonomike dhe vijimit të përafrimit të plotë me acquis communautaire.

Republika e Shqipërisë mbetet e vendosur të ecë përpara me seriozitet, përgjegjshmëri dhe vendosmëri, duke e konsideruar integrimin europian jo vetëm objektiv strategjik, por si projekt kombëtar dhe si angazhim të palëkundur ndaj vlerave dhe parimeve europiane.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen e saj ndaj Komisionit Europian, shteteve anëtare dhe të gjithë partnerëve që kanë mbështetur këtë proces, si dhe thekson gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të vijuar me ritmin e reformave drejt mbylljes së negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”.

© Panorama.al

Te lidhura