Buxheti, paratë sipas institucioneve

Apr 11, 2011 | 10:18

Qeveria ka miratuar tavanet përgatitore të shpenzimeve sipas të gjitha institucioneve të shtetit. Gazeta boton sot tabelat e plota krahasuese për të gjithë llojet e shpenzimeve nga pagat deri te ato korente.Ajo që vihet re në parashikimet buxhetore është shtimi i madh i investimeve të huaja. Për të tre vitet e ardhshme, qeveria ka parashikuar që pjesën dërrmuese të investimeve ta marrë nga jashtë. Gazeta bën edhe krahasimin e fondit të pagave, nga e cila do të dallohet edhe rritja që do të bëhet vit pas viti.
Investimet
Edhe pse s’ka vetëm disa ditë që është firmosur kontrata 22 milionë USD me bankën arabe, qeveria sërish parashikon qindra miliona euro investime nga jashtë. Pra, borxhe të reja për shpenzimet. Sipas tavaneve, pra limiteve të shpenzimeve në vitin 2012, pritet që në total të shpenzohen 728 milionë dollarë për investime. Nga kjo shumë 412 milionë janë para që do të vijnë nga jashtë, ndërsa 316 milionë nga të ardhurat e vetë qeverisë. Pra, investimet vitin që vijnë do të jenë të varura nga kreditë që do të marrë qeveria. Ky hendek shtohet edhe më shumë gjatë vitit 2013. Në këtë vit është parashikuar që investimet prej 835 milionë dollarësh të mbulohen me 312 milionë nga të ardhurat e qeverisë, pra më pak se një vit më parë dhe 523 milionë dollarë nga borxhe dhe të ardhura nga jashtë vendit. Në vitin 2014 në total do të investohen 965 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 428 milionë pritet të vijnë nga taksat dhe tatimet dhe pjesa tjetër prej 536 milionë do të vijë nga jashtë. Pra, në tre vitet që vijnë nga rreth 2.5 miliardë USD investime të parashikuara, vetëm 1 miliardë do të financohet nga taksat që mbledh qeveria, ndërsa pjesa tjetër rreth 1.5 miliardë, nga kreditë dhe financimet e tjera të huaja.
Pagat
Një tjetër lajm nga krahasimi i shifrave të shpenzimeve është ai i rritjes së pagave. Fondi i pagave dhe sigurimeve për të gjithë administratën rritet shumë pak nga viti në vit. Në vitin 2012 qeveria do të shpenzojë 711 milionë USD për pagat e administratës. Në vitin 2013 kjo shifër shkon në 745 milionë, pra vetëm 34 milionë USD më shumë ose rreth 5 për qind. Në vitin 2014 shifra arrin në 777, pra 32 milionë USD më shumë, ose rreth 4 për qind. Këto do të jenë edhe përqindjet e rritjes së pagave gjatë dy viteve të ardhshme. Duhet thënë se rritja parashikohet e diferencuar, por të paktën është më e lartë se sa inflacioni.
Të pavarurit
Institucionet e pavarura do të trajtohen mirë financiarisht gjatë vitit 2012-2013, por do të kenë një ulje të zhvillimeve ekonomike gjatë vitit 2014. Të dhënat krahasuese tregojnë se gjatë vitit të fushatës, në 2013, ka një rritje të ndjeshme të shpenzimeve. Që nga Presidenca deri te zyra gjyqësore. Kjo rritje gati përgjysmohet në vitin e parë të mandatit politik të qeverisë së re. Lidhur me zgjedhjet, fondi i shpenzimeve në Komisionin e Zgjedhjeve gjatë vitit 2013-s është parashikuar rreth 7 milionë USD ose 6 milionë USD më shumë se një vit më parë. Pra, mendohet se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 të kushtojnë rreth 6 milionë USD.

© Panorama.al

Te lidhura