Burgpushteti i shtetarëve

Nov 7, 2025 | 7:46

NGA PROF. DR. AGO NEZHAAGO NEZHA

Po të hedhësh një vështrim mbi pushtetarët e sotëm vertikalisht dhe horizontalisht, do shohësh se të gjithë ata që janë ngjitur në majat e piramidës së pushtetit, me zv.kryeministra e ministra dhe deri në trasen e pushtetit me kryetarët e bashkive dhe drejtorët e drejtorive, jetojnë me psikologjinë dhe ushqehen me filozofinë se pushteti është “Lopa” që duhet mjelë sa e ke në “pronësi”, se sjell fitime pa harxhime. Koha ka vërtetuar e provuar, se për disa pushteti ka qenë varrezë e vlerave, ku janë fundosur përfundimisht dhe për disa të tjerë, magazinë e vlerave, ku janë pasuruar pafundësisht. Kjo epidemi që ka kapur shtresat e larta të pushtetit është sëmundje që e pjell demokracia, apo e prodhon shoqëria në tranzicion në vendet e varfra?!

Aristoteli, që ishte një vëzhgues realist dhe dëshmitar i ngjarjeve që çuan në rrëzimin e lirive të antikitetit, e rendiste demokracinë në klasën e formave të korruptuara të shoqërisë. Shqipëria që po kalon një tranzicion të stërgjatur, ndodhet para alternativave: “të qeveriset nga qeveria e të pasurve apo nga qeveria e të varfërve”. Fatkeqësisht, starti fillon me qeverisjen e të varfërve dhe mbaron me qeverisjen e të pasurve. Ky fenomen shqiptar ndodh se për gati 35 vjet ka pasur korrupsion galopant, por s’ka pasur ndëshkueshmëri. Kalimi i pushtetit nga e majta tek e djathta dhe anasjellas ka qenë një rrotacion, që pushteti ka shërbyer si garë për t’u pasuruar me çdo çmim, pasi nuk ka pasur ndëshkim. Po të bëjmë skanerin e qeverive në vitet e pseudodemokracisë 35- vjeçare, do shohim qartazi se para se të krijohej SPAK-u, s’ka pasur asnjë ndëshkim në sferat e larta të pushtetit, as për ndonjë ministër apo kryetar bashkie, edhe pse kanë qeverisur nga tri mandate. Ka ardhur koha që SPAK-u të bëjë një hap para dhe dy hapa mbrapa për të parë se si është administruar e qeverisur pasuria e popullit. Është tronditëse që sot janë nën hetim të akuzuar për korrupsion dy zv.kryeministra, disa ministra dhe disa kryetarë bashkish, pa folur më për drejtorë drejtorish, që po mbushin burgjet anë e mban Shqipërisë. Publikimet që bën media çdo ditë për korrupsion nëpërmjet tenderave, është të mbyllësh veshët dhe të qorrosh sytë, se nga dalin gjithë këta banditë. Këtu flitet për drejtues që janë në pushtet, se opozita duartroket, duke harruar xhepat e vet.

Opozita gjatë qeverisjes së saj ka pasur jo vetëm korrupsion, por edhe krime, po ende nga SPAK-u nuk ka ndëshkime. Si mund të harrohen krimet e 1997-ës, grushti i shtetit 1998, masakra e 21 janarit, tragjedia e Gërdecit etj.? Mos vallë drejtësia vepron me juristët e plepave, që ende s’i ka rrëzuar era e demokracisë, në kupolën e drejtësisë?! Kur flitet për një kod moral vetjak të shtetarit, duhet kuptuar se ai është shërbëtor i shtetit dhe jo pronar i karriges ku është ulur, pavarësisht nga hierarkia, duke filluar nga sferat më të larta dhe deri te nëpunësi më i thjeshtë. Kjo psikologji ende nuk funksionon te nëpunësit tanë. Është rrënjosur një psikologji dhe filozofi te shtetari se karrigia e pushtetit të pasuron, ndaj edhe punësimi në shtet, qytetarët i tundon. Marrëzia shkon deri aty, sa që sistemin e demokracisë, ta konceptojnë si sistemin e hajdutërisë. Makutëria ka bërë që drejtues të hierarkive të ndryshme sa ulen në karrigen e pushtetit, mendojnë çfarë fitova unë sot dhe jo çfarë bëra unë sot për të mirën e përbashkët. Edhe ndëshkimin apo dënimin, shtetarët e shikojnë si një “privilegj”, si një masë kalimtare që mjafton të pasurohen, se kjo ju siguron mirëqenien në breza.

Një virus i rrezikshëm, që ka prekur shtetarët në qeverisjet e radhës është psikologjia e qëndrimit të përkoshmërisë në pushtet. Sa hipin në karrige, vrapojnë të pasurohen, me të gjitha format dhe mjetet. Nuk mund të futesh në zyrat e shtetit me duar bosh, për të zgjidhur një të drejtë të ligjshme, pa i pasur xhepat plot, për të joshur zyrtarin me ryshfet. Me gjithë goditjet administrative dhe ligjore, masat ndëshkuese dhe detyruese, përsëri ky fenomen është në fuqi. Nuk pretendohet për një shoqëri ideale, ku të mos ekzistojë korrupsioni te pushtetarët, se atë nuk e kanë as vendet më të zhvilluara me një demokraci liberale, por kërkohet që korrupsioni te nëpunësit të mos kthehet në “profesion të ligjëruar”, si deri më sot, që na ka sunduar administratën shtetërore.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura