Burgaj: Satelit për zonat e drogës

Apr 5, 2011 | 12:24
Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë konferencës së djeshme

“Shkodra dhe gjithë Shqipëria do të dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike”.Nuk ka qenë vetëm në kuadër të një deklarate fjala e djeshme e kryepolicit Hysni Burgaj. Sipas tij, këtë vit do të hyjë në funksionim të plotë sistemi satelitor, për të monitoruar dhe piketuar çdo territor të mbjellë me drogë. Në këtë mënyrë do të shmangen harxhimet në kohë, para dhe forca policie në operacione patrulluese, të cilat gjithsesi nuk mbërrijnë në zona të thella. “Jemi në përfundim të procesit të nënshkrimit të kontratës për satelitin, që vitin e kaluar e premtuam dhe që në pjesë të veçanta u arrit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ne do të monitorojmë të gjithë territorin e vendit tonë me anë të këtij sateliti për të identifikuar parcelat e mbjella, me qëllim që të mos kemi asnjë mundësi për të mbjellë asnjë metër katror me bimë narkotike”, deklaroi Burgaj.
Drejtori i Policisë së Shtetit ishte dje në Shkodër, ku u organizua Konferenca Rajonale kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku mori pjesë dhe zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, përfaqësues i misioneve ICITAP dhe PAMECA, drejtues vendorë etj. Gjatë analizës së punës së kryer nga policia e Shkodrës vitin e kaluar, kryepolici Burgaj deklaroi se puna sensibilizuese nuk është bërë sa dhe si duhet për krimin e parandalimit të mbjelljes së bimëve narkotike. “Kjo na kushtoi shumë shtrenjtë në fazën operacionale, duke aktivizuar shumë forca policie e mjete, si nga toka, ashtu edhe nga ajri për ta luftuar atë”. Në qarkun e Shkodrës gjatë vitit të kaluar janë asgjësuar rreth 28.000 rrënjë, me një zbulueshmëri të 91 % të rasteve të kultivimit. Nga ajri janë realizuar rreth 82 aksione me helikopter për evidentimin e zonave që kultivojnë kanabis sativa, duke rritur efikasitetin dhe forcën goditëse të policisë në luftën kundër këtij fenomeni. Në këto aksione, për vitin 2010 në qarkun e Shkodrës janë dënuar 15 persona si kultivues dhe trafikues të kanabisit, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Si zonat më problematike në këtë fushë janë identifikuar komunat e Shkrelit në Malësinë e Madhe dhe ajo e Gurit të Zi në rrethin e Shkodrës.

Kreu i qarkut: Droga në mal, për arsye ekonomike

I pranishëm në konferencën e djeshme, kreu i qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, ka pohuar në këtë takim se arsyeja e kultivimit të lëndëve narkotike në zona të thella malore të qarkut Shkodër vjen si pasojë e varfërisë që kanë këto zona. “Është detyra e pushtetit qendror dhe lokal që të ndihmojë këtë zona, të zhvillohen nga ana ekonomike”, ka pohuar Kolombi. Sipas tij, kryetarët e njësive vendore duhet të bëjnë përpjekje që kjo bimë aq fitimprurëse, por sa e rrezikshme për jetën e fëmijëve, edhe për kulturën tonë të mos kultivohet. “Madje, tashmë përgjegjësia individuale si ndaj drejtuesve lokalë të zonave dhe punonjësve të policisë do të jetë akoma më e madhe”, ka pohuar Kolombi.

Kryegjyqtari: Duhet një strukturë polici-gjykatë

Vërejtje për punën e deritanishme ka pasur dhe nga ana e kryetarit të Gjykatës së rrethit Shkodër, Andri Ymeri. “Policia duhet të bashkëpunojë më shumë me gjykatat për vënien para drejtësisë të personave të akuzuar për trafikim dhe kultivim të bimëve narkotike”, pohoi Ymeri. Gjatë konferencës së djeshme, ai ka hedhur idenë e një strukture të përbashkët, me qëllim rritjen e efektivitetit në drejtim të krimeve të ndryshme. Sipas kryegjyqtarit të Shkodrës, policia duhet të krijojë një strukturë me një varësi të drejtpërdrejtë nga gjykata, ta ndihmojë atë në sigurimin e provave të ndryshme. “Shpeshherë në kryerjen e njoftimeve në lidhje me gjykimet, pasi shpeshherë gjykimet si në të gjitha veprat penale, zvarriten në shumë raste, duke sjellë edhe atë që kemi të bëjmë me një drejtësi të vonuar”.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura