Një tjetër aksident i rëndë në rrethin e Bulqizës. Bilanci është tragjik. Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë.Ngjarja aksidentale ka ndodhur në segmentin rrugor Thekën-Krastë. Behar Kenga e Dashnor Cani kanë humbur jetën pas rënies së makinës në greminë, ndërkaq Halim Gjoka e Hajdar Saliu kanë mbetur të plagosur rëndë.
Ngjarja
Rreth orës 15.00 Behar Kenga dhe punëtorët e firmës së tij po ktheheshin nga sektori minerar i Theknës. Vetëm 3-4 kilometra pa mbërritur në qytetin e Krastës, ku banonin katër personat e aksidentuar. Sipas policisë mjeti tip fuoristradë, pronë e Behar Kengës ka lënë rrugën nacionale dhe ka rënë në greminë, nga një lartësi e konsiderueshme. Ngjarja është mësuar disa minuta më vonë, pasi në këtë rrugë nuk ka pasur lëvizje dhe dje firmat e kromit e kishin pushim. Banorë të fshatit ngjitur me Krastën kanë parë nga larg rrokullisjen e makinës dhe kanë lajmëruar me telefon policinë. Punonjës të postës së policisë Krastë kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se Behar Kenga, 48 vjeç, babai i dy fëmijëve dhe 27-vjeçari Dashnor Cani kishin humbur jetën për shkak të plagëve të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. 71-vjeçari Hajdar Spahiu është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, ndërkohë Halim Gjoka, 53 vjeç, në gjendje kritike për jetën është transportuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak. Katër personat vinin pas punës në një minierë kromi në Thekën të Martaneshit, pronë e Kengës. Ky i fundit është dhe vëllai i kreut aktual të komunës së Krastës. Çdo ditë ata udhëtonin nga Krasta në Thekën dhe anasjelltas, madje edhe në dimër. Por, dje ata kanë qenë të pafat.
Policia
Menjëherë pas ngjarjes policia rrugore dhe prokurorë të Dibrës kanë mbërritur në vendin e aksidentit dhe kanë nisur hetimet rreth ngjarjes. Burime policore sqaruan se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, por mendohet se gjendja e rënduar e rrugës dhe ndonjë defekt i mundshëm i makinës ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve. Të katër udhëtarët po zbrisnin nga zona e kromit për në Krastë, kur mjeti i tyre doli nga rruga, për të përfunduar në greminë. Nuk është hera e parë që në këtë segment rrugor ndodhin ngjarja të tilla. Lapidarët në anë të rrugës Qafa e Buallit-Krastë faktojnë aksidentet e shumta me pasojë vdekjen e shumë njerëzve.
BULQIZE/ HASAN PASHA











