Futen në lojë Bogdani dhe Kapllani për ekipet respektive (Çezena dhe Padreborn) dhe ndryshon komplet loja. Kështu mund të konsiderohen dy përballjet e djeshme të dy lojtarëve të Kombëtares shqiptare. Çezena e Bogdani mori dje një barazim të çmendur në fushën e Palermos, duke shënuar dy gola në minutat shtesë dhe për më tepër kur kishte gati 20 minuta që luante me nëntë lojtarë. Vendasit shënuan në minutën e 5-të me anë të Kurtiç dhe në të 36-n me Pinilën. Bogdani e nisi takimin nga stoli dhe u fut vetëm në minutën e 69-të në vend të Malonga. Por 5 minuta më vonë, Çezena mbetet me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Von Bergen dhe tre minuta më pas, po me të kuqe del edhe Samarko. Miqtë me nëntë lojtarë u mbështetën vetëm te loja e Bogdanit, i cili mbajti skuadrën në sulm. Në dy minutat e fundit të kohës shtesë, Parolo (90+4′) shkurtoi diferencën e golave dhe Xhiakerini e barazoi dy minuta më vonë (90+6). Pak a shumë e njëjta gjë edhe në Gjermani, ku pasi shkoi në disavantazh me Ingloshtadin, trajneri futi në lojë Kapllanin dhe dy minuta më vonë Paderborni arriti të barazojë. Kjo ishte ndeshja e parë e Kapllanit që pas dëmtimit në kavilje para dy muajsh. Po në Bundesliga 2 FSV Frankfurt i Jurgen Gjasulës u mund në transfertë 2-0 nga Union Berlin. Fantazisti shqiptar luajti si titullar për 90 minuta. Në Ukrainë, Vorskla Poltava e Dallkut dhe Januzit u mund 2-0 nga Dnipro, ku Dallku u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Në Azerbajxhan Karabaku i Telit dhe Agolli nuk arriti të fitonte në fushën e vet ndaj lenkoranit të Elvin Beqirit. Dy të parët luajtën si titullarë, ndërsa Beqiri nuk u aktivizua fare nga trajneri i tij. Fitore 1-0, ndërkohë shënoi Azal i Eleandro Pemës ndaj Inter Baku, por sulmuesi shqiptar nuk u aktivizua.











