Erjon Bogdani shënoi golin e vetëm në sfidën e djeshme ndaj Barit duke i dhënë kështu një trepikësh të rëndësishëm skuadrës së tij, Çezena, në luftë për mbijetesë në kampionatin italian.Për sulmuesin shqiptar bëhet fjalë për golin e tij të shtatë sezonal. Mediat italiane e vlerësuan me një “7” të bukur, si lojtarin më të mirë të ndeshjes. Bogdani shënoi në minutën e 48-të të pjesës së dytë, pas një asisti perfekt të dhënë nga Xhiakerini. “Ishte një gol i rëndësishëm, sepse mendoj se të gjithë ata që kam shënuar këtë sezon, por edhe më parë, kanë qenë shumë të rëndësishëm. Megjithatë, më duhet ta pranoj se kjo ishte një ndeshje delikate dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për Çezenën. E devijova fare pak topin që t’ia kaloja portierit kundërshtar poshtë krahëve, sepse nuk kisha mundësi të bëjë parabël prej distancës së shkurtër. Topi pastaj e humbi shpejtësinë dhe mezi shkoi në portë. Sikur të mos mjaftonte kjo, u përplas edhe në shtyllë. Ato 3-4 sekonda zgjatën sa një ditë dhe më lanë pa frymë’, pohoi dje në një intervistë për “Panorama Sport”, Bogdani.
Çesena u rikthye te fitorja pas më shumë se një muaji, ku suksesi i fundit ishte ajo 3-2 kundër Sampdorias më 6 mars. Kur duhen edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit, Çesena mori tri pikë të arta falë golashënuesit më të mirë të saj. “Besoj se tri pikët e sotme ishin thelbësore. Ishte një ndeshje shumë e komplikuar. Bëmë një pjesë të parë të mirë, por në të dytën arritëm të zhbllokonim rezultatin”, pohoi pas ndeshjes trajneri Fikadenti. Në takimet e tjera të kampionatit italian, Juventusi barazoi 0-0 me Fiorentinën, duke mos arritur që të kapë Europën. Ndërsa Lacio e Edi Rejas vazhdoi galopimin e vet në transfertë edhe ndaj Katanias, duke fituar 4-1. Golat për Lacion u shënuan nga Hernanez (40?), Mauri (56?), Flokari (78?) dhe Zarate në minutën e 90-të. Golin e vetëm për Katanian e shënoi Skeloto në minutën e 46-të. Ndërsa Kievo fitoi 2-0 ndaj Bolonjas falë golave të Konstant (5′) dhe Markolini (83′). Fitore shënoi edhe Xhenova 3-0 ndaj Breshias, ku për vendasit shënuan Rafinja (59′), Berardi (70′) autogol dhe Antoneli (90′). Në barazim 3-3 përfundoi sfida Leçe-Kaljari me miqtë që shënuan të parët me anë të Akuafreska (20′) dhe më pas barazoi Mesbah (49′). Por Konti (67′) dhe sërish Akuafreska (72′) i dhanë një avantazh të mirë sardëve, të cilët nuk ditën ta mbajnë, pasi Fabiano (87′) dhe Korvia (90′) barazuan gjithçka.











