Bode: Zbatimi i faljes nis në dy javët e para të majit

Apr 23, 2011 | 10:39
Bode, dje gjatë konferencës për shtyp

Falja fiskale që u miratua në Kuvend dy ditë më parë do të fillojë të zbatohet në mes të majit dhe do të zgjasë deri në fundit të vitit 2011.Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një konference për shtyp, sqaroi dje se me këtë falje i jepet fund epokës së informalitetit dhe ekonomisë gri, dhe fillon epoka ku qytetari dhe biznesi duhet të zbatojnë me korrektësi ligjin, ose, në të kundërt, do të ketë masa të rrepta. Ministri u shpreh se menjëherë pasi të dekretohet ligji, do të vazhdohet edhe me procedurat e tjera që do të sanksionojnë mënyrën se si do të zbatohet ai. “Nga momenti që ligji do të dekretohet dhe do të hyjë në fuqi, nga ana e Ministrisë së Financave janë parapërgatitur të gjitha aktet e tjera nënligjore, të cilat do të zbatohen me shpejtësi për ta bërë eficient ligjin brenda dyjavorit të parë të muajit maj. Kohëzgjatja e tij do të jetë deri në fund të viti 2011, sipas miratimit të ligjit”, tha Bode. Ministri nuk dha ndonjë shifër të saktë se sa do të jetë efekti që do të ndjehet në buxhet nga zbatimi i këtij ligji, por preferoi të jepte vetëm shifrën që në fakt i falet biznesit dhe qytetarit si detyrim i papaguar, i cili shkon rreth 40 miliardë lekë. Bode ka ripërsëritur edhe njëherë ato përfitime që sjell falja fiskale për qytetarin, biznesin e vogël dhe atë të madh, duke filluar që nga falja e taksave të thjeshta, faturat e papaguara të ujit dhe dritave deri në momentin që këto kompani kanë qenë në administrim të qeverisë, dhe deri te borxhet disa milionëshe të kompanive te Doganat dhe Tatimet. Në detaje ai sqaroi se kush u përjashtua nga falja duke e kthyer amnistinë pa votat e opozitës në një gjysmë-amnisti. “Sikur opozita të kishte dhënë konsensusin dhe do të kishte votuar, ligji do të përfshinte dhe amnistinë penale për disa kundërvajtje penale që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat; si dhe një sërë çështjesh që sot janë në ndjekje dhe gjykim nga prokuroria apo sistemi gjyqësor për fshehjen e taksave, të klasifikuara si kundërvajtje penale”, sqaroi kreu i Financave. Duke u ndalur në faktin që ligji për legalizimin e aseteve dhe faljen e një pjese të borxhit doganor dhe tatimor ka për bazë vetëdeklarimin, u shpjegua se qytetarët, vullnetarisht, mund të hyjnë në këtë proces duke tërhequr formularët në institucionet përkatëse, tatimet, bankat, hipotekat dhe të përfshihen në të. E konsideruara “thembra e Akilit” në këtë proces, pjesa e garancisë që i jepet biznesit, Bode theksoi se biznesi ka garancinë maksimale dhe nuk do të kontrollohet për atë që i është falur, por duhet të jetë i kujdesshëm me atë çka bën pas faljes. Edhe njëherë ai theksoi se ky proces nuk do të përsëritet më, sepse nuk do të kishte kuptim dhe penalitetet për ata që shkelin ligjin po rriten në maksimum në përmirësimet që po i bëhen ligjit.

Ligji për faljen

Legalizim parash

Qytetarët          3 për qind të vlerës
Biznesi                3 për qind të vlerës

Rivlerësim pasurie

Qytetarët         1 për qind të diferencës
Biznesi               5 për qind të diferencës

Makineritë

Biznesi                3 për qind të diferencës

Makinat e importuara deri në dhjetor 2010
Qytetarët           50 për qind të principalit
të zhdoganimit

Falen faturat e ujit dhe dritave deri në momentin që institucionet përkatëse kanë qenë nën administrim të qeverisë

Falen gjobat e qarkullimit rrugor

© Panorama.al

Te lidhura