Biznesi: Ja propozimet për amnistinë fiskale

Apr 14, 2011 | 10:03

Biznesi, edhe një herë ka bërë thirrje për mënyrën se si duhet të jetë amnistia fiskale, e cila tashmë është konkretizuar në një projektligj dhe pritet të votohet në Parlament. Gjatë një konference ditën e djeshme, shoqata të ndryshme të biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë kanë parashtruar disa nga propozimet e tyre që lidhen me tarifat, përfshirjen dhe sigurinë që duhet të ketë biznesi në këtë amnisti fiskale. Katër kanë qenë pikat ku janë përqendruar kërkesat komunitetit të biznesit. E para lidhet me gjithëpërfshirjen, ku bëhet thirrje që asnjë biznes mos të lihet jashtë amnistisë. Në fakt, kjo më shumë sesa përkrahjen e maxhorancës kërkon edhe votat e opozitës, pasi është pikërisht mungesa e miratimit të kësaj të fundit që deri tani garanton vetëm legalizimin e kapitalit dhe faljen e gjobave, por jo përfshirjen në amnisti të atyre bizneseve që kanë kryer shkelje penale. Pika e dytë që kërkon biznesi është ajo që lidhet me aplikimin e tarifave të ulëta. Qysh në daljen e projektligjit nga Ministria e Financave, tarifat që u lanë për rivlerësimin e aseteve të kompanive apo për legalizimin e “parave të fshehura” nga bilancet joreale u konsideruan të larta. Nga ana e biznesit u kërkua që tarifat të ishin më inkurajuese, që biznesi të vetëdeklaronte pasi nëse ato janë të larta, mund të ketë frenim. Një pikë tjetër që biznesi kërkoi dje ishte ajo që garancinë që duhet të ofrojë ky ligj për qytetarët dhe biznesin që përfiton prej tij. Frika më e madhe e biznesit është që pas vetëdeklarimit, institucione të ndryshme mund të marrin masa për kontrolle ndaj biznesit. Ky i fundit ka bërë thirrje që vetëdeklarimi të mos keqshfrytëzohet për të përndjekur specifikisht biznese të veçanta. “Duke e konsideruar këtë ligj jo vetëm si një ligj për legalizim kapitali dhe falje fiskale, por si një reformë të rëndësishme në ekonominë e vendit tonë, garancia për subjektet e mundshme të këtij ligji është shumë e rëndësishme”, shprehet biznesi. Ndërkaq, një pikë tjetër që kërkohet nga biznesi është krijimi i grantit për biznesin. “Ky grant do të shërbejë për kreditimin e biznesit me kredi afatgjata dhe me tarifa jo më shumë se 2 për qind, duke pasur prioritet sektorët e bujqësisë dhe turizmit, i cili do të drejtohet nga një bord, ku brenda tij të jenë dhe përfaqësues të biznesit”, detajohet kërkesa e katërt që shoqatat e biznesit së bashku me Dhomën e Tregtisë kanë bërë në lidhje me amnistinë fiskale. Konkretisht, propozimet janë bërë edhe në projektligjin e amnistisë, ku shihet e arsyeshme që të shtohen disa pika që lidhen me garancinë që do t’i jepet biznesit për atë që mund të ndodhë pas amnistisë, por edhe diçka lidhur me uljen e tarifave apo zgjerimin e hapësirës që prek amnistia.

Propozimet

Neni 11
a)Tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për personat juridikë jo më shumë se 3% të diferencës ndërmjet vlerës se rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
b- Tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive për personat juridikë jo më shumë se 5% të diferencës ndërmjet vlerës se rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
Shtohet pika c
c- Tarifa për vlerësimin e emrit dhe markës së kompanive në treg jo më shumë se 2% e vlerës së plotë të emrit apo markës.
Propozim:
Pas nenit 17 të projektligjit, të shtohet një nen i ri si më poshtë:
Neni “x”
a- Në të gjitha rastet, për subjektet që përfitojnë nga ky ligj, organet e specializuara të hetimit nuk mund të fillojnë ndjekjen penale duke u bazuar nga deklarimet vullnetare sipas këtij ligji.
b- Në rastet e fillimit të ndjekjes penale, organet e specializuara të hetimit kanë detyrimin dhe përgjegjësinë për mbledhjen e provave dhe dokumenteve lidhur  me ngritjen e akuzave dhe argumentimin e tyre në gjykatë.
Propozim :
Në nenin 18 të përcaktohen qartë çfarë detyrimesh tatimore përfshihen në këtë ligj.
(Të gjitha gjobat e vëna nga institucionet shtetërore ndaj qytetarëve shqiptarë dhe sipërmarrjes shqiptare. Si p.sh.: gjobat e vendosura nga hipotekat për dorëzimin e kontratave të shitjeve me vonesë apo procedurat e tjera si kjo.
Të gjitha gjobat e vëna nga të gjitha drejtoritë dhe inspektoratet që operojnë në territorin e Shqipërisë deri më datë 31.12.2010.
Të gjitha detyrimet tatimore që kanë të bëjnë me marrëdhënien biznes-sistem fiskal.
Përdorimi dhe destinacioni i fondeve
65 për qind e fondeve të mbledhura nga ky ligj të përdoren nga buxheti i shtetit sipas nevojave të tij.
30 për qind e këtyre fondeve të mbledhura të përdoren si grant për kredidhënie me tarifa të reduktuara për sipërmarrjen shqiptare.
5 për qind e fondeve të mbledhura të përdoren për agjentët e mundshëm që do të shërbejnë për mbledhjen e këtyre fondeve si dhe për fushatën promocionale të informimit për qytetarët dhe sipërmarrësit që do të jenë subjekt i këtij ligji.

© Panorama.al

Te lidhura