Bie nafta në bursë, 123 dollarë

Apr 12, 2011 | 10:47

Nafta ka rënë dje në kuotën e 123 dollarëve për fuçi pas nivelit 126 dollarë që arriti në bursën e Londrës dy ditë më parë. Kjo rritje është shtyrë nga bisedimet që kanë zënë vend në Libi, çka qetëson disi situatën edhe në bursë. Qysh nga fillimi i konflikteve, në Libi shpesh herë nafta ka arritur çmime rekord, të cilët ekspertët ja kanë veshur si faj trazirave politike në vende, si Libia, Jordania, Arabia Saudite. Ndërkohë, me situatën e re të “paqes”, duket se edhe bursa ka gjetur pak paqe në kurbat e saj të rritjes. Situata në Lindjen e Mesme pa dyshim që vlerësohet edhe si një nga çështjet që do të ndikojë më shumë në frenimin e rritjes ekonomike. Rritja e çmimeve të naftës është komentuar si një shkak kryesor i frenimit ekonomik të shumë vendeve dhe në këtë pikë duket sikur të gjitha ngjarjet janë të lidhura zinxhir. Por jo vetëm në bursë edhe në vendin tonë çmimet e karburanteve vazhdojnë të mbeten të larta. Duket se është kthyer në standard, reagimi që, pas një shtrenjtimi në tregjet ndërkombëtare, çmimet në vend të mbeten statike në këtë nivel pavarësisht zhvillimeve. Nafta tregtohet në nivelet nga 168-1775 lekë, ndërsa benzina nga 172-178 lekë për litër.

© Panorama.al

Te lidhura