Silvio Berluskoni ka qenë i pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Ambasadën Holandeze në Milano, gjatë së cilës mesfushorit të Milanit, Klarens Sedorf, i është dhënë titulli “kavalier”. Në përfundim të kësaj ceremonie, presidenti ka folur për kampionatin dhe të ardhmen e mesfushorit 35-vjeçar. “Tashmë gjithçka ka mbaruar, titulli është yni. Klarens mund të luajë deri në moshën 52-vjeçare – ka thënë buzagaz presidenti kuqezi. – Ai është një futbollist i madh, të cilin jo më kot të gjithë e thërrasin profesori. Besoj se e ardhmja e tij do vazhdojë të jetë tek Milani, dhe një ditë unë do ia besoj atij drejtimin e skuadrës”.











