Berisha: Të shqetësuar për tumoret, diagnostikohuni

Apr 30, 2011 | 9:13
Kryeministri Berisha, dje gjatë Kongresit të Parë Mesdhetar për kontrollin e kancerit

Pas alarmit të mjekëve, vetë krerët e qeverisë ngrenë shqetësimin për rritjen e frikshme të tumoreve në vend.Janë rreth 4500 raste të reja që zbulohen çdo vit, pjesa më e madhe në stad të avancuar. Gjatë kongresit mesdhetar për kontrollin e kancerit, të mbajtur në Tiranë, kryeministri Sali Berisha apeloi për një diagnostikim më të hershëm të rasteve. Ai u shpreh se vetëm nëse kapen herët këto tumore dhe trajtohen, pacientët mund t’i mbijetojnë atyre. Një faktor i rëndësishëm, u shpreh kreu i qeverisë, është parandalimi i shkaqeve të cilat janë shtuar ndjeshëm në shoqërinë shqiptare. “Asgjë nuk mund të ndihmojë një të sëmurë të prekur nga kjo sëmundje, më shumë se diagnoza e hershme. Mendoj se incidenca e sëmundjes, graviteti i saj, na ftojnë ne që të jemi shumë më të përqendruar në këtë mision të madh si të parandalimit ashtu dhe të diagnozës së hershme. Testet e Papanikolaut, mamografia janë përcaktuese për diagnozën e hershme”, tha Berisha. I pranishëm në këtë kongres ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe dhjetëra profesorë të njohur e specialistë të fushës. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë e ka prioritet ndërgjegjësimin e popullatës për diagnostikimin në kohë dhe trajtimin e tumoreve.” Tashmë është ndërtuar strategjia dhe plani i veprimit, për të bërë të mundur koordinimin e të gjitha ndërhyrjeve të mëtejshme. Fale këtij bashkëpunimi dhe përfshirjeje së OBSH-së, u be e mundur që tashmë të kemi një përgjigje të mirëmenduar dhe shkencore”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai shtoi se me përfundimin dhe miratimin e planit 10 vjeçar për kontrollin e kancerit në Shqipëri, puna ka filluar me zbatimin e tij, duke përfshirë një gamë të gjerë të objektivave të kontrollit të kanceri nga parandalimi dhe detektimi i hershëm, tek trajtimi dhe kujdesi, nga avokatia, te mobilizimi i të gjitha burimeve. Konferenca do të vazhdojë punimet edhe sot. Në të pritet të hidhen dhe ide nga studiues dhe mjekë të specializuar në fushën e onkologjisë, të cilat kanë si synim reduktimin e rasteve. Në vit sëmuren rreth 21 milionë persona në botë nga tumoret, ndërkohë që icindenca është gjithnjë e në rritje.

Rikonstruktohet Senatoriumi i Tiranës

Rikostruktohet Spitali Universitar i Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”. Inaugurimi u bë dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Tashmë kemi hyrë në një epokë të re të investimeve cilësore, dhe jo investime për shkak të emergjencave”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij. Sipas tij, objektivi kryesor i projektit të financuar nga kredia austriake ishte rritja e nivelit dhe e gamës së pajisjeve mjekësore të këtij spitali. Sidomos bëhet fjalë për nevojat urgjente që kanë për qëllimin e  transformimin e spitalit ekzistues, në një spital të specializuar për sëmundjet e mushkërive, zemrës, atyre interne (gastro hepatike, reumatologji, nefrologji, endokrinologji dhe hematologji) si dhe sëmundjeve kirurgjikale. Spitali tashmë është pajisur me aparatin CT Scaner me 128 prerje (slite), aparatin e koronarografisë, gama kamerën, pajisjet endoscopike, katër sallat e operacionit me pajisjet më moderne të nevojshme, shërbimin e reaminacionit, laboratorin e anatomisë patologjike, autoklavin për përpunimin e mbetjeve spitalore . “Mund të themi pa dyshimin më të vogël që spitali tashmë ka pajisje të nivelit të lartë dhe mund të krahsohet me çdo spital europian”, është shprehur Vasili. Në kuadër të kësaj, kredisë austriake iu financuan 9 milionë euro ( 7.5 milionë euro nga kredia dhe 1.5 milionë nga qeveria shqiptare).

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura