
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar dje fushatën elektorale në qytetet e Fierit dhe të Lushnjës, ku ka prezantuar kandidatët për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”.Gjatë takimeve me qytetarët, kreu i maxhorancës bëri thirrje për një fushatë të qetë dhe jo të tensionuar. “Kjo është fushata jonë. Fushata jonë, para së gjithash, bazohet në moralin tuaj qytetar njerëzor. Ndaj dhe jam këtu për t’iu bërë thirrje të gjithë mbështetësve dhe simpatizantëve të koalicionit ‘Aleanca për qytetarin’, që në këtë fushatë të mbajnë parasysh, të kenë për yll polar moralin qytetar dhe të shmangin çdo tension, çdo përplasje. Sikundër u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, le të zhvillojmë ne fushatën më të qytetëruar, fushatën e vlerave të vërteta”, u shpreh Berisha. Nga qyteti i Lushnjës ai nuk la pa përmendur edhe kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Sipas kryeministrit, kreu i PS-së, në çdo qytet që ka shkuar, ka thënë se kryebashkiak i tyre ka qenë Sali Berisha. “Kalon nga një qytet në një tjetër dhe u thotë qytetarëve se kryetar bashkie ka qenë Sali Berisha. Në Tiranë u tha se nuk ka qenë Edi Rama, në Elbasan u tha ka qenë Sali Berisha, në Vlorë u tha ka qenë Sali Berisha. More zotëri, qytetarët kanë votuar dhe e dinë se për kë kanë votuar. E dinë se kanë votuar për kryebashkiakët e tyre. Ti mund t’u thuash sa të duash se ka qenë Sali Berisha, por ata duan projekte, duan zgjidhje. Ndaj dhe e kanë vendosur në mendjen e tyre, po presin me padurim 8 majin, në mënyrë që të të japin edhe fundin e ri që meriton”, tha më tej Berisha. Pasditen e djeshme, kryeministri ka qenë në Fier, ku është shprehur se me gjithë rritjen e fondeve nga qeveria, pushteti vendor i ka shndërruar ato në fond për rroga. “I kam gjetur këto fonde 7 miliardë lekë dhe ato janë 35 miliardë lekë. Të gjitha këto janë për rrugët e rrugicat tuaja, për shkollat, kopshtet, shërbimet tuaja, transportin tuaj, janë për ju. Por çfarë bëjnë këta shokët e rrugës së vetmisë. Këta shokët e rrugës së vetmisë i kthejnë këto fonde në rroga. Ndaj dhe ju ftoj të votoni alternativën tuaj, që do t’u japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti”, tha Berisha.
MAJLINDA RAMA











