Berisha: Rruga e Ramës, karrigia

Apr 9, 2011 | 11:12

Kryeministri Berisha prezantoi dje kandidatin për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Ardian Kollozi.”Vlora është e para, të parët jeni ju”, iu drejtua Berisha pjesëmarrësve në ceremoninë e hapjes së fushatës, ndërsa ftoi kundërshtarin politik, Rama, që të tregojë interes për qytetarin. “Vlora është e para. Ne vijmë sot te ju pasi Vlorën e Ismail Qemalit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Ne vijmë këtu pasi Vlorën e flamurit e kemi bërë qytetin e qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Europën. Ne vijmë sot te ju për të paraqitur kandidat për kryetar bashkie birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e keni bërë të njohur në mbarë botën, pasi priti në këto katër vite turistë më shumë se në të gjitha kohërat të marra së bashku. Ne paraqesim sot Ardian Kollozin para jush, pasi kemi investuar në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në ujësjellës, vreshtari, ullishte, rreth 400 milionë euro, më shumë se në çdo kohë tjetër”, tha Berisha. Për kreun e Ekzekutivit, rruga e Edi Ramës është ajo e karriges së kryeministrit. “Le t’i themi zotit Edi Rama se rruga e vetme e jotja është rruga e karriges tënde, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është rruga e konfliktit, bllokimit, ndërsa jona, e mirëkuptimit dhe zhvillimit. Kryetar Bashkie në Tiranë në katër vitet e shkuara nuk ishte Edi Rama, por Sali Berisha. Duhet t’i them këtij zotërie se tipar themelor dallues midis njeriut të qytetëruar është përgjegjësia qytetare, ndaj dhe zoti Rama, në këtë fushatë, të garantoj se nuk do të merrem me ty. Je politikani i vetëm që s’ke fituar qoftë dhe një betejë të vetme politike. Socialistëve u shpreh nderimin tim, por u rikujtoj se kryetari juaj, nga mëngjesi deri në darkë bërtet për beteja politike, ka humbur dhe do të humbasë çdonjërën prej tyre. Në krye të PS-së Rama nuk erdhi vetë, e solli Fatos Nano dhe Sali Berisha. Dil në skenat e mbarë vendit. Dil për karrige, unë për interesat e qytetarit”, theksoi Berisha. Duke folur për kandidatin e koalicionit të djathtë për Bashkinë e Vlorës, Berisha tha se përpjekjet e Kollozit për një Vlorë ndryshe kanë nisur 20 vjet para. “Sot, jam këtu tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar të Bashkisë, inxhinierin, politikanin, birin tuaj të shquar, Ardian Kollozi, me të cilin mua dhe ju na lidh një përpjekje e përbashkët 20-vjeçare për liri, për dinjitet për integrim. Ardian Kollozi u përket atyre bijve të qytetit tuaj, që 20 vjet më parë, së bashku me studentët dhe studentet, pedagogë të universiteteve të Tiranës, themeluan Partinë Demokratike, partinë e parë opozita. U përket atyre djemve të Vlorës, që 20 vjet më parë u përballën në sheshet dhe rrugët e Tiranës, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, për të përmbysur diktaturën më të egër që shqiptarët kanë njohur”, u shpreh Berisha.

Basha: Në vjeshtë, studentët me kartën e privilegjeve

Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik, të 80 mijë studentët e Tiranës do të kenë kartën e studentit. Kështu i ka siguruar studentët e kryeqytetit, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim që pati sot në Universitetin “Kristal”. Kjo kartë do t’u mundësojë studentëve disa lehtësira, si në transportin publik ashtu edhe në frekuentimin e institucioneve kulturore, por edhe në shërbime të tjera publike dhe private që ofrohen në Tiranë. Kandidati për kryebashkiak u shpreh para studentëve: “Vizioni im për Tiranën, që nuk është fantazi, por është fare pranë realizimit, është Tirana e 100 mijë studentëve. Studentët kanë një sistem specifik të angazhimit të tyre në jetë me sfidat e përditshme dhe, në këtë partneritet të qytetit me studentin dhe të studentit me qytetin, unë propozoj së pari: duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, i cili fillon me sezonin e vjeshtës së këtij viti, bërjes realitet të Kartës Studentore për të gjithë studentët e Universiteteve të Tiranës”, u shpreh kandidati për kryetar bashkie Lulzim Basha.

Kollozi: Masterplan për qytetin

Kandidati i PD-së dhe i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kreun e Bashkisë së Vlorës, Ardian Kollozi, gjatë fjalës së tij tha se masterplani që është hartuar do të synojë rigjenerimin e sipërfaqes urbane, rigjallërimin e qendrës historike. “Do ta bëjmë Vlorën më atraktive dhe më mikpritëse”, theksoi Kollozi, ndërsa shtoi se aksioni social që është formatuar tashmë synon ofrimin e shërbimeve sociale, si dhe të gjitha projektet që do të vijnë nga Vlora do të marrin fondet e padiskutueshme për turizmin dhe bregdetin e saj.

Idrizi: Shqipëria është sovrane

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli dje turin zgjedhor në Lushnje. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës së tij hapëse iu përgjigj deklaratave të ministrit të Jashtëm grek në lidhje me çështjen çame. “Shqipëria është sovrane. Askush nuk mund t’i imponojë marrëveshje. Çamët ekzistojnë dhe do të kthehen në Çamëri”, u shpreh kreu i PDIU-së. Ndërkohë, nën moton ‘Ne duam Shqipërinë’, Idrizi shpalosi programin e kësaj partie për zgjedhjet elektorale të 8 majit nga qyteti i Lushnjës. Sipas Idrizit, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të sjellë një frymë të re në pushtetin lokal. Kryetari i PDIU-së, theksoi edhe një herë qëndrimin kundër regjistrimit të popullsisë. “Ne kemi qenë të parët që kemi kundërshtuar regjistrimin e popullsisë sipas kombësisë. A është e drejtë që me një deklaratë, të deklarohesh grek, shqiptar, alien, marsian. Sigurisht kjo nuk mund të ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë. Ne e duam Shqipërinë, ne e duam Kosovën, ne e duam Çamërinë. Shumë nga ne kemi si pikënisje Çamërinë. Kurrë nuk do ta harrojmë tokën tonë, kurrë nuk do ta harrojmë Çamërinë. Sot Çamëria ka mijëra vajza dhe djemtë që do t’i dalin përpara çështjes çame.”, theksoi në fjalën e tij Idrizi.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura