TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë rritjen e rrogave dhe të pensioneve, duke theksuar se një gjë të tillë e mundëson performanca e mirë eknomike që ka shënuar Shqipëria së fundi. Deklarata është bërë gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së, ku Berisha është ndalur në ecurinë e ekonomisë së vendit, performanca e së cilës, sipas tij, nuk garanton vetëm rritjet e rrogave dhe pensioneve, por garanton edhe përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha e të vogla të shpallura për këtë vit.
“Qeveria duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës. Mendoj se ky është një lajm i gëzueshëm për 810 mijë familje shqiptare, në buxhetin e të cilave rrogat apo pensionet kanë kontributin kryesor familjar”- tha ai, duke shtuar se kjo ndodh në Shqipëri, përkundër asdaj që ndodh realisht në Europë dhe botë, ku si pasjë e krizës ka ulje rrogash e pensionesh.











