Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e thirrur nga Partia Demokratike para godinës së qeverisë, pasditen e sotme në orën 17:00.

Rama shprehet se Berisha, të cilin e quan bufi stërplak i kënetës opozitare, është frymëzuar për protestën nga komentet e ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, që i konsideron si “broçkulla”.
“Sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe frymëzimi i protestës qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie”, shkruan Kreu i qeverisë.
Rama shprehet se protesta “është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar”, duke theksuar se më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes.
Kryeministri shkruan se PS është e vetmja forcë politike të denjë në Shqipëri dhe u bëri thirrje demokratëve të braktisin “kënetën e bufit stërplak”.
“Demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej zgjedhjeve të 11 majit”, deklaroi kreu i qeverisë.
Postimi i Ramës:
Sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe frymëzimi i protestës qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie??
Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar, të cilën më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë???
Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej zgjedhjeve të 11 majit, nga ku protestuesit e sotëm do të dalin jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013⭐️??♂️
© Panorama.al











