FIFA në këtë edicion të Botërorit po detyron ekipet pjesëmarrëse që të bëjnë ndryshime edhe në fanellat e tyre.
Fillimisht ishte Haiti që u detyrua të ndryshojë dizajnin e fanellës për shkak se aty pasqyrohej edhe një moment i luftës për pavarësi të ishullit, që FIFA e interpretoi si mesazh politik, Tani, e ka radhën Egjipti.
Federata e Futbollit të Egjiptit bëri të ditur se FIFA i kishte kërkuar që të hiqte nga stema në fanellë yjet e vendosura rreth saj.
Egjipti i vendos ata për të festuar 7 fitoret në Kupën e Kombeve, turneun më të rëndësishëm të konfederatës afrikane. Por FIFA ka bërë të qartë se yjet në fanellë gjatë aktivitetit janë vetëm për ekipet që kanë fituar Botërorin.
Kjo nuk ka qenë kërkesa e vetme. FIFA njëkohësisht i ka bërë të qartë se numrat që mbanin në fanellë, duhej të kishin ngjyrë të bardhe dhe jo të artë, siç i mban zakonisht Egjipti.
Kjo bëhet për lehtësinë e transmetuesve televizivë, të cilët kanë gjithmonë probleme me reflektimin e numrave të artë, duke detyruar Egjiptin të bënte ndryshimin e radhës para ndeshjes së parë ndaj Belgjikës. /Panorama Sport/
© Panorama.al












