Edhe në ditën e 14-të të revoltës popullore, qytetarët dhanë shembullin e tyre, nga mbledhja e plehrave në shesh pas fjalimeve para kryeministrisë, tek marshimi paqësor dhe episodi me ambulancën e spitalit, të cilës i hapën rrugën pranë zonës së “Brrylit” në Tiranë.
Marshimi masiv i lëvizjes qytetare që nisi nga bulevardi dhe kaloi përpara Parlamentit, ka zhvendosur tashmë “oqeanin” e njerëzve drejt një tjetër pike kyçe të kryeqytetit. Mijëra protestues janë grumbulluar masivisht në kryqëzimin e njohur si “Brryli” në Tiranë, e QSUT, duke paralizuar plotësisht qarkullimin e automjeteve në këtë aks, zona e “Unazës”.
Gjatë këtij bllokimi masiv, është shënuar një moment i jashtëzakonshëm solidarizimi dhe qytetarie që ka prekur të gjithë të pranishmit.
Edhe pse turma ishte tejet e dendur dhe numëronte mijëra persona, sapo janë dëgjuar sirenat e një ambulance që po transportonte një pacient drejt spitalit, protestuesit janë koordinuar në kohë rekord.
Pasi kanë hapur një kordon njerëzor mes përmes rrugës, ata kanë lejuar kalimin e menjëhershëm dhe pa asnjë vonesë të ambulancës.
© Panorama.al
















