Shkroi historinë me Shqipërinë, ish-mesfushori prezantohet si trajner në klubin italian: Do të bëjë të flitet për të

Jun 13, 2026 | 21:46

Ledian Memushaj ka nisur një kapitull të ri të rëndësishëm në karrierën e tij, teksa është prezantuar si trajneri më i ri i skuadrës së Team Altamura në Serinë C italiane.

ledian memushaj

Ish-mesfushori i Kombëtares, i cili ka nisur tashmë karrierën e trajnerit, provoi Serinë D me klubin e Leon, e tashmë është ngjitur një kategori më lart në një klub që ka besim se ai mund të bëjë një hap tjetër para. Kjo duket nga fjalët e drejtorit sportiv të klubit, Mateo Lauriola.

“Ai është një surprizë si trajner, por e njoh që nga koha e tij te Karpi dhe Leçe. Si lojtar, ai ishte një lider. E kontaktova edhe vitin e kaluar, por ekzistonte faktori i panjohur i një grupi të ri, një kategorie të re dhe ai si një fillestar.

Ai do të bëjë të flitet për të sepse është një trajner me një prirje të fortë ofensive dhe koncepte që përputhen mirë me grupin që kemi tashmë. Projekti tekniko-taktik po vazhdon, pavarësisht ndryshimit në pankinë.

Ai ka shumë personalitet dhe koncepte të qarta”, ishin fjalët e drejtuesit që i ka besuar skuadrën Memushajt. /Panorama Sport/

© Panorama.al

Te lidhura