Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje dje qytetarëve të distancohen nga dhuna dhe tensioni. Kreu i maxhorancës ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu. Vizita e Berishës në Kamzë vjen dy ditë pas përplasjeve të ashpra mes simpatizantëve të dy partive, ku ka pasur edhe të plagosur. “Vij sot tek ju me thirrjen time, për ju dhe të gjithë demokratët shqiptarë, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, Aleancës për Qytetarin, por dhe për të gjithë shqiptarët. Në këtë fushatë të shmangim çdo lloj tensioni. Të jetë kjo fushatë në lartësinë e vlerave të shpirtit tuaj, të tolerancës suaj, të mirëkuptimit tuaj, të qytetarisë suaj”, u shpreh Berisha. Gjatë paradites Berisha prezantoi kandidatin për koalicionin e djathtë në bashkinë e Gramshit, Kastriot Zera. Kreu i qeverisë tha se në vitet e qeverisjes së të djathtës janë rindërtuar 40 kilometra rrugë, 20 shkolla, 16 ambulanca, 6 ujësjellës dhe 16 qendra shëndetësore. Duke u ndalur në investimet në infrastrukturë, Berisha tha se pas dy vjetësh qytetarët e Gramshit do të vijnë në Tiranë për një orë, me ndërtimin e rrugës së re. Në të njëjtën kohë, kryeministri u ndal edhe në fushatën e kundërshtarit të tij politik, Edi Rama. “Ti, i nderura zotëri, që ua paraqet shqiptarëve qeverinë e tyre si qeveri fashiste, ti e sheh demokracinë, e sheh Shqipërinë me gjyzlykët e Ramizit dhe të etërve të tu shpirtërorë. Ti që u thua shqiptarëve se janë një milion të papunë, nuk bën gjë tjetër veçse përsërit shpifjet bajate të Ramiz Alisë, që 20 vjet më parë do t’i deklaronte botës, për të poshtëruar shqiptarë, se ata janë 1 milion hajdutë, 1 milion spiunë, 1 milion të papunë”.











