Kryeministri Sali Berisha ka udhëtuar dje pasdite drejt Elbasanit, ku ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me strukturat e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 8 majit. Të pranishmit në këtë takim kanë qenë drejtues të strukturave të partive pjesëmarrëse në koalicionin “Aleanca për qytetarin”, kandidatët për kryetarë bashkie e komunash, si edhe deputetë të së djathtës. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se gjatë këtij takimi Berisha u ka kërkuar strukturave që të mbështesin fuqishëm kandidatët e koalicionit në mënyrë që më 8 maj fitorja të jetë e garantuar. Berisha ka bërë thirrje që të gjithë të mobilizohen, pasi koalicioni duhet të triumfojë dhe kandidatët duhet të mbështeten fuqishëm, sepse vetëm kështu fitorja do të jetë e padiskutueshme. Në mbyllje të takimit Berisha ka ftuar në kafe kandidatin për kryebashkiak të Elbasanit, Durim Hushi, si dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.











