Kryeministri Sali Berisha reagoi nga Brukseli në lidhje me pretendimin e opozitës se po manipulohen zgjedhjet nëpërmjet listave të zgjedhësve. Kreu i qeverisë kujtoi se listat janë përgjegjësi e pushtetit lokal, në një kohë kur bashkitë e mëdha të vendit qeverisën nga opozita. “Në të gjitha qytetet e mëdha qeveris opozita. Me sa shoh unë opozita po ankohet drejt vetes së vet. Unë nuk mund t’ia nxjerr atij kurrë dyshimin. Njëherë akuzoi 20 000 komisionerë, tani akuzon qeveritarët e tij vendorë. Këto janë probleme të brendshme të opozitës. Ajo çka unë mund t’u garantoj është përkushtimi i plotë dhe total, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se në takimet që kishte pasur me homologët e partive popullore evropiane, u kishte kërkuar vëmendje dhe vëzhgues për zgjedhjet lokale në Shqipëri. “Kërkesa ime në këtë rast ishte që qeveritë, sepse ODIHR-i përbëhet nga vëzhgues që dërgojnë qeveritë, ministritë e jashtme, pra kërkesa ime ndaj tyre ishte që të udhëzojnë ministritë e jashtme respektive për t’i dërguar ODIHR-it vëzhguesit, sepse numri i përgjithshëm ka rëndësinë e vet. Kjo ishte kërkesa e parë. Natyrisht, unë kam marrëdhënie të shkëlqyera, dhe ky ishte një rast për të falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë Presidencën e EPP-së, miqtë e mi që mbështetën vendosmërisht Shqipërinë dhe e mbështesin atë”, deklaroi kryeministri Berisha.











