TIRANË- Fushatë në dietë, shpenzime vetëm nga fondi i partive, jo përdorim i makinave zyrtare dhe asnjë përfshirje e administratës shtetërore në fushatën zgjedhore. Me këto porosi e ka nisur mbledhjen kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke këshilluar ministrat e kabinetit të jenë shumë rigorozë në zbatimin e këtyre kushteve.
“PD në fushatë do të marrë pjesë me shpenzimet e partisë. Ai fond që është caktuar nga KQZ ai do të ekonomizohet”- ka thënë Berisha, madje ka kufizuar edhe përdorimin e automjeteve zyrtare, me perjashtim te atyre te sigurise dhe Gardes.
Ai ka njoftuar se i ka kërkuar PD marrjen me qira të veturës dhe kjo duhet të ndodhë me secilin prej ministrave, në të kundërt sipas tij, policia do te bllokojë cdo automjet zyrtar që do të përdoret per interesat e fushates.
“Ftoj KLSH dhe gjithë institucionet të bëjnë kontrolle të rrepta mbi të gjitha fondet që mos devijohen as nga pushteti qendror e as lokal drejt fushave të mitingjeve, apo stendave dhe shpenzimeve abuzive. Nuk është salltaneti ai që shkon më thellë në mendjen dhe zemrën e njerëzve, ndaj dhe ne shkojmë në këto zgjedhje me një qasje ndryshe. Kjo fushatë është shans i madh për politikanët”- tha Berisha.
Duke kujtuar se administrata shteterore ka punen e vet, Berisha ka deklaruar se ajo nuk do te perfshihet ne fushate. Per kete ai ka deklaruar se do te kete kontroll te rrepte te zbatimit te orarit te punonjesve te administrates.
© Panorama.al











