Berat, mbyllen tri reparte demontimi, hetuesit në Bigaz

Apr 30, 2011 | 9:04

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Bigaz të Skraparit, ku humbi jetën nënoficeri Agim Mekollari dhe u plagosën tre të tjerë, asnjë repart demontimi nuk ka funksionuar.Tri nga katër zonat ku kryhet demontimi i municioneve janë pezulluar në qarkun e Beratit, deri në një urdhër të dytë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ditën e djeshme ka vazhduar aktivitetin vetëm Uzina e demontimit në Poliçan, ku dhe kushtet janë më të moderne për realizimin e këtij procesi. Ndërsa në Bigaz, zonë ku ndodhi shpërthimi me pasoja për jetën e nënoficerit, një tjetër pikë në zonën e Gjerbësit në Skrapar dhe një tjetër në vendin e njohur si “Qafa e Kumbullave” në zonën malore të komunës Tërpan, është ndërprerë procesi i demontimit. Në Bigaz dhe Gjerbës shpërthimi kryhet brenda poligoneve, në reparte ushtarake, ndërsa në Qafën e Kumbullave shpërthimi kryhet në natyrë, në gropa të mëdha, të krijuara për eliminimin e predhave ushtarake. Pas ngjarjes në Bigaz nuk kanë shkuar as punëtorët e tjerë që i shpëtuan lëndimit nga predha. Dje kanë mbërritur atje përfaqësues të grupit hetimor dhe rojet ushtarake për të kryer veprimet e nevojshme, në mënyrë që të zbardhet ngjarja e rëndë. Bashkë me viktimën 53-vjeçar Mekollari në repart ndodheshin dhe Jetmir Dedaj, Drini Tiko dhe Ilir Kurti. Ata u transportuan me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimit, dy prej tyre e lanë spitalin ndërsa po vazhdon të kurohet në ambientet e tij Dedaj.
Të dhënat e para pas ngjarjes flasin se djegorja e predhës ka qenë e dëmtuar më parë dhe pa u diktuar nga specialistët ushtarakë, është vendosur në arkë, si gjithë të tjerat. Më pas ajo është transportuar për në ambientet e repartit Bigaz, 20 kilometra larg qytetit të Çorovodës. Sipas specialistëve dhe grupit hetimor, bëhet e ditur se në momentin që ish-nënoficeri Mekollari e ka marrë predhën për të bërë demontimin, nuk ka vënë re që djegorja ka qenë me defekt, ose e dëmtuar në momentin që ai do të kryente dekantimin e predhës. Specialisti ushtarak veteran, Halim Tusha, 75 vjeç, që ka qenë me detyrë komandant artilerie, tregon për gazetën se djegoret e predhave të mëdha, nëse janë të dëmtuara, gjatë kalimit të kohës, sikur edhe një lëvizje e vogël të ndodhë, shpërthejnë. Djegoret dhe predhat duhet të ruhen në ambiente të caktuara, të shmangen nga lagështia dhe temperaturat e larta. Nisur nga ngjarja e fundit, specialisti thotë se djegorja ka qenë me defekt, ose predha është amortizuar nga koha dhe ambientet ku ka qëndruar.

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura