Bektashinj dhe batakçinj

Apr 10, 2011 | 9:56

MENTOR RAMA

Kryegjyshit botëror të paharruar, Baba Reshat Bardhit (iu prehtë shpirti në Parajsë), i kam dërguar dy letra brenda këtij viti, pa marrë asnjë përgjigje. Jam përpjekur ta takoj këtë njeri të rrallë, por nuk kam mundur. Më thoshin se duhej të merrja leje te “besimtari” Ilir Dedei.
Për t’i treguar opinionit publik se ky “besimtar” nuk është tjetër veçse i biri i Jezidit dhe i Mavijes, po botoj më poshtë letrën dërguar fort të ndriturit, Baba Reshatit: Kur u arratisa në SHBA, në vitin 1962, shkova drejt e në teqenë e Baba Rexhepit, në Detroit. Porosia e parë e tij ishte të ruhesha. Nga goja e tij dëgjova se shërbimet sekrete shqiptare (ish-Sigurimi i Shtetit), kishin dashur ta hiqnin qafe dhe për këtë kishin urdhëruar zyrat e misionit shqiptar pranë OKB-së. Shefi i kësaj zyre në atë kohë ishte Syhbi Dedei (i ati i Ilir Dedeit). Ai kishte qenë partizan dhe më 1945-n e kishin caktuar prokuror, ndërsa më vonë ka qenë edhe anëtar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri, ku kryetar ka qenë famëkeqi Arianit Çela. Në listën e anëtarëve të asaj gjykate famëkeqe, që dënuan edhe një sërë dervishësh e baballarësh, figuron edhe emri i Syhbi Dedeit, i emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë pas kthimit nga Amerika. Është e tepërt të flas për bëmat e njerëzve të tillë në atë regjim…
Në fund të bisedës, Baba Rexhepi më tha se Syhbi Dedei e quan veten bektashi, por në të vërtetë është i biri i Jezidit dhe i Mavijes.
Kur erdha në Shqipëri, pas shumë vitesh, kur erdhi demokracia, xhaxhai im, i cili ishte rritur në teqenë e Kreshovës, më tha se duhej të shkonim në Tiranë, te varri i Dede Ahmet Ahmataj. Kishte qenë një nxënës shpirtëror i tij. Më tregoi për vuajtjet që kishte hequr bashkë me Dervish Reshatin. Më tha se si e kishin goditur publikisht baballarë të lidhur me Sigurimin e Shtetit. Njëri prej tyre ishte Qazim Dedei, vëllai i Syhbi Dedeit.
Duke kërkuar dokumente të familjes sime në Arkivin e Shtetit, më ra në dorë një letër, në të cilën Qazim Dedei dënonte me rreptësi qëndrimin e Dede Ahmet Ahmataj dhe dervish Reshat Bardhit. Këtë dokument ia dorëzova Baba Reshatit, i cili me dashamirësi më tha të mos e bëja publike, se iu del nami i keq bektashinjve. Sa për dijeni, Qazim Dedei u bë baba nga miqtë e tij komunistë në pushtet. Ata ishin përpjekur me Baba Fajën, më 1947-n, t’i martonin dervishët dhe baballarët. Por bektashizmin e shpëtoi koburja e dede Abaz Mërtinjit. Më pas, nomenklatura e lartë komuniste e veshi me petkun fetar Qazim Dedein, megjithëse ishte baba i katër fëmijëve. Ky u miratua edhe nga ish-Baba Iljazi, i cili kishte lidhje me Sigurimin e Shtetit.
Pas rilindjes së fesë në Shqipëri, për çudinë e të gjithëve, në teqe erdhi Iliri, i biri i Syhbiut dhe nipi i “baba” Qazim Dedeit. Në fillim Iliri u shfaq si bamirës. Drejtonte qendrën “Stefan” në Tiranë dhe duke përfituar nga ndihmat që vinin për popullin shqiptar, solli në Kryegjyshatë disa kazanë për përgatitjen e ashures. Pastaj u lidh me një punonjës të teqesë, Sherif Shehun, i cili shërbente te pularia. Pasi nuk i eci pazari me Sherifin, futi njerëz që ta përgojonin dhe Sherifi u pushua nga puna.
Baba Reshati kishte përkrah tij dy nipër të Dede Ahmetit. Ilir Dedei, në gjurmët e babait dhe të xhaxhait të vet, filloi sulmin. Shpif këtej e shpif andej, derisa i largoi nipërit e të ndjerit Dede Ahmetit, Sokrat dhe Kujtim Ahmatajn. Pas largimit të këtyre bashkëpunëtorëve, me ndihmën e nipërve të Baba Reshatit, Ilir Dedei i forcoi pozitat dhe vendosi kontroll mbi gjithçka në teqe. Bëri për vete dhe një dhëndër të Baba Reshatit dhe gjoja se kishte lidhje të ngushta me Ambasadën Amerikane në Tiranë, e vuri veten në rolin e përkthyesit të Baba Reshatit me të huajt. Fytyra e tij e zezë, me sytë djallëzorë pas syzeve, shfaqej nëpër tribuna e podiume si personalitet i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane që kujdesej për Kryegjyshin e baballarët e lartë. Në fakt e mbushte kryegjyshin e nderuar, gjithë kohës, me gjithfarë shpifjesh për dervishë e baballarë të ndryshëm.
Nga teqeja e Detroitit erdhi në Tiranë, më 2002-shin, zoti Ilmi Lilja, i cili i ka thënë Baba Reshatit se çfarë ka bërë Syhbi Dedei, kur ishte në krye të spiunazhit shqiptar në SHBA. Përgjigjja e Baba Reshatit ishte: “Hajde ti, rri me mua, e heq unë qysh nesër Ilirin, por nuk kam njerëz!!!”. Është fakt që Ilir Dedei, edhe pse e quante veten si i ngarkuari me marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk shkeli kurrë në teqenë e Detroitit, pasi e dinte mirë se çfarë e priste atje.
Sëmundja e Baba Reshatit shërbeu që Mavija – Dedei, ta largonte nga njerëzit e vet Kryegjyshin e nderuar. Tregojnë në teqe se edhe kur kopshti ishte plot me perime të freskëta, Ilir Dedei ia sillte Baba Reshatit ushqimin nga shtëpia e vet, pasi gjoja kishte gjetur formulën që ai të mos shëndoshej.
Shpeshherë, Baba Reshati detyrohej ta linte këtë ushqim e ua jepte qenve, ndërsa vetë hante ushqim nga duart e njerëzve të teqesë, nga ata njerëz që e kishin rritur e i kishin qëndruar pranë gjithnjë, në çdo fatkeqësi, deri në Drizar, në Mallakastër, ku ishte i internuar dhe mallkohej nga familja Dedei.
“Çfarë lind nga macja, gjuan minj”, thotë një shprehje popullore. Dhe ndyrësitë e familjes Dedei nuk kanë të sosur. E fundit është e lidhur me vajzën e Ilirit, Silvia Dedei. Me ndihmën e nipërve të Baba Reshatit, ajo u punësua në Kryegjyshatë dhe brenda 2-3 muajve shau e ofendoi dervishë e baballarë të teqesë. U largua me turp nga teqeja, por vazhdon të paguhet edhe sot, rreth një vit më pas. Listat e pagesave janë edhe në Komitetin shtetëror të Kulteve, por edhe atje, për çudi, është kaluar si e paditur kjo vjedhje e fondeve të shtetit.
Mavija-Ilir Dedei ka hapur fjalë se është keq nga ana ekonomike, prandaj ka kërkuar pagesën për të bijën. Në fakt, pasuria e tij është: tri vila në Durrës – Golem, një në Tiranë, plus një shtëpi si dhe toka të blera në Petrelë. Me gjithë këtë pasuri ai vazhdon të rrjepë fondet e bektashinjve. Ato lekë që i falnin besimtarët Baba Reshatit për shpirt, shkojnë akoma dhe sot në xhepat e pistë të familjes Dedei.
Teqenë e Elbasanit, ku ka qenë Qazim Dedei, e ka si pronë të vetën. Ish-sekretari i kësaj teqeje mund të thotë se për vite me radhë ka shkarkuar në shtëpinë e Ilirit sasi tepër të mëdha ullinjsh, vaji, apo prodhime të tjera.
Nuk ia vura kot këtë titull këtyre radhëve. “Batakçi” vjen nga turqishtja, pra dikush i rënë në batak, në llum, në tradhti ndaj besimit të vet fetar, në tradhti ndaj të mirave që të jep bektashizmi. Dalja e tij në TV ditën që Baba Reshati po jepte shpirt, ishte fyerja më e madhe që i bëhej këtij kryebabai të respektuar e të paharruar. Ky nuk ishte turpi i Babait. Le ta lemë atë të prehet në paqe. Ky është turpi të gjithë atyre që la pas babai. Dervishët dhe baballarët duhet t’i tregojnë vendin Mavijes-Dedei, kështu shpëtohet bektashizmi. Sot, se nesër do të jetë vonë. Ekspozimi i babait të teqesë së Gjirokastrës, Sadik Ibros, përkrah Ilir Dedeit lë një shije të keqe jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, kudo që ka bektashinj.
Në fund dua të bëj një thirrje: Baba Sadiku, largohu nga Jezidi dhe Mavija! Larg që të mos mbash mbi supe peshën e llumit dhe krimit ndaj bektashinjve!
Populli thotë: “Kush rri me krunde, e hanë pulat”.

© Panorama.al

Te lidhura