Bejl, lojtari më i mirë i Premier Ligës

Apr 18, 2011 | 13:07

Është shpallur ylli i Totenhemit, Garet Bejl, futbollisti më i mirë i Premier Ligës për sezonin 2010-2011. Çmimi i përvitshëm që i jepet lojtarit që ka shkëlqyer më shumë në kampionat, i ka takuar mesfushorit uellsian. Në mbrëmjen gala të dhënies së këtyre çmimeve në hotel “Grosvenor”, 21-vjeçari ka pasur konkurrencën e 5 futbollistëve të tjerë, Parker (Uest Hem), Vidiç (Junajtid), Adam (Blekpull), Tevez (Siti) dhe Samir Nasri (Arsenal). Paraqitjet e tij në kampionat e sidomos në Ligën e Kampioneve, ku të gjithë e kujtojnë tripletën që i shënoi Interit në “San Siro”, kanë qenë vendimtare për dhënien e këtij trofeu. Ai ka shënuar 7 gola në 26 ndeshje në kampionat. Por, ndërsa Garet feston këtë çmim, nga ana tjetër mesfushori 19-vjeçar i Arsenalit Xhek Uilsher ka marrë trofeun e futbollistit më të mirë të ri. Ai ka arritur të fitojë një vend në formacion bazë si me klubin e “topçinjve” ashtu edhe në Kombëtaren e Anglisë. Uilsher ka lënë mbrapa kandidaturat e Hart, Nasrisë, Kolman, Nanit, Hernandezit dhe Bejlit.

© Panorama.al

Te lidhura