
Lëvizja e automjeteve me flamuj dhe postera të fushatës së PS-së dhe PD-së në të njëjtën kohë është bërë dje shkak për incidente të dhunshme në Bathore. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen Nr.6 në Bathore të Tiranës, ku ka pasur përplasje mes simpatizantëve respektivë nga të dyja partitë.Policia e Tiranës sqaroi mbrëmë se një person, tashmë i identifikuar me inicialet K.B., është shkëputur nga turma dhe ka goditur me gurë e shkopinj dy makina të militantëve socialistë. Më pas ai është larguar përmes banesave të zonës duke humbur gjurmët. Pas këtij veprimi, personat që drejtonin makinat, Elvis Vladi dhe Ardian Aliu, sipas burimeve nga policia, i kanë përplasur me qëllim automjetet e tyre, tip “Pasat” dhe “Golf 3” me targa të huaja dhe kanë zbritur duke ndjekur autorin që kishte qëlluar mjetet e tyre. Makinat e përplasura, për rrjedhojë kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve me flamujt e të dy subjekteve politike, duke shkaktuar një radhë trafiku prej rreth një kilometri. Militantë të tjerë të Partisë Socialiste kanë vrapuar për t’u ardhur në ndihmë Vladit dhe Aliut, ndërsa militantët e Partisë Demokratike, në pamundësi për të lëvizur makinat, kanë zbritur duke protestuar në rrugë. Policia e Komisariatit Nr.5 ka shkuar menjëherë në vendin ky ishte bllokuar trafiku dhe ka rrethuar vendin e ngjarjes duke bllokuar dy makinat e përplasura. Burimet zyrtare thanë mbrëmë se policia ka nisur kërkimet për identifikimin e autorit dhe të dy militantëve të PS-së që kishin braktisur makinat e përplasura.
INCIDENTI
Për disa minuta, që prej orës 16:00 e deri në mbrëmje, situata në lagjen Nr.6 të Bathores ka qenë e tensionuar mes militantëve socialistë e demokratë. Simpatizantët e irrituar nga ngjarja, por edhe nga pritja e gjatë në rrugë si pasojë e bllokimit të trafikut, kanë shkaktuar protestë ndaj militantëve socialistë në disa raste edhe me fyerje. Forca të shumta policie në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të normalizuar trafikun. Si pasojë e dyndjes së madhe të makinave në rrugë, edhe karrotreci e kishte të vështirë që të depërtonte deri në zonën ku ndodheshin makinat e përplasura të militantëve socialistë. Në orët e mbrëmjes, kanë qenë vetë dy drejtuesit e mjeteve të përplasura që janë paraqitur në polici dhe kanë lëvizur makinat, duke normalizuar trafikun. Ndërsa policia ka arritur të identifikojë autorin e shkatërrimit me gurë e shkopinj të të dyja makinave të socialistëve, duke e shpallur atë në kërkim. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se, “Nga veprimet e para hetimore, rezulton se, si autor i goditjes së automjeteve është identifikuar shtetasi K.B, i cili, pasi është larguar nga vendngjarja, është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal”. Për këtë person, policia tha se po kryen hetime në mungesë. Ditën e djeshme oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje drejtuesit e dy automjeteve të dëmtuara dhe më pas, kanë kryer edhe fotografimin e makinave në vendin e ngjarjes. Një grup militantësh që kanë qenë të pranishëm në momentin kur ndodhi ngjarja, janë marrë më pas në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Policia pohoi se ka kryer disa kontrolle banesash me qëllim kapjen e të kërkuarit.
POLICIA
Në një deklaratë zyrtare ditën e djeshme, “Policia e Tiranës, sqaron Subjektet Politike dhe opinionin publik se, veprimtarinë e punës së saj, gjatë kryerjes së detyrave në procesin zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, është bazuar në Ligjin e Policisë së Shtetit, Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe Udhëzimin Nr.7 datë 23.03.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ushtrisë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”. Policia e Tiranës, siguron paanshmëri, objektivitet, transparencë dhe angazhim serioz për përmbushjen e të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara me ligj”.
HETIMI
Në lagjen Nr.6, Bathore në Tiranë, dy automjete “Pasat” dhe “Golf 3”, me drejtues Elvis Vladi dhe Ardian Aliu, kanë qenë duke qarkulluar në këtë segment rrugor dhe duke mbajtur flamuj të PS-së. Gjatë lëvizjes, dy automjetet janë ndaluar nga një person, i cili i ka goditur me gurë dhe shkopinj duke i dëmtuar. Më pas drejtuesit e mjeteve i kanë përplasur makinat qëllimisht dhe kanë zbritur duke ndjekur autorin, i cili ishte larguar në rrugicat e zonës dhe dyshohet se është militant i Partisë Demokratike. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e hetimit dhe të parandalimit të krimit, që kanë kryer procedurat hetimore.
Trafiku
Policia rrugore e Tiranës ka vepruar dje me shërbime të përforcuara në të gjithë territorin e kryeqytetit. Shërbime të policisë kanë qenë të vendosura në të gjitha hyrje-daljet e rrugëve kryesore dhe po ashtu edhe në të gjitha pikat e hyrjes së kryeqytetit. Përveç kryqëzimeve dhe semaforëve, efektivat e Policisë Rrugore kanë kryer patrullime me kotorra dhe automjete edhe përgjatë akseve rrugore të kryeqytetit për të shmangur bllokimin e trafikut, si pasojë e pranisë në ambientet publike të automjeteve me flamuj apo me postera elektoralë të forcave politike.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











