Zbardhen përgjimet që zbuluan një skemë korrupsioni mes një inspektori të Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkësisë së Tiranës dhe një polici bashkiak, për të favorizuar një ndërtim pa leje.Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” pak ditë më parë për Adem Cenmuratin, inspektor në IUV të Bashkisë Tiranë, për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në përmbajtjen e vendimit të gjykatës, i cili botohet më poshtë, rrëfehet në mënyrë kronologjike versioni i prokurorisë nga “fillesa” e aferës së jashtëligjshme për lejimin e një ndërtimi pa leje në Sauk, te takimet “sekrete” në automjetet e Policisë Bashkiake, dorëzimin e ryshfetit, e deri te ndarja e parave. Gjithçka është faktuar nga prokuroria nëpërmjet përgjimeve ambientale, veprimeve të stimuluara dhe përgjimeve telefonike. Nga i njëjti hetim u arrestuan edhe Agustin Lekgegaj, Ylli Bala dhe Simon Braholli. Për të parin, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Antonela Prendi, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për Balën dhe Brahollin atë të “detyrim paraqitje”.
VENDIMI
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se, provuar se:
Shtetasi Simon Braholli është banor i Njësisë Bashkiake Nr. 2, Tiranë. Ai banon pranë Spitalit të Sanatoriumit dhe ka filluar ndërtimin e katit të dytë në një objekt ekzistues pa u pajisur me leje nga organet kompetente administrative. Më datë 08.03.2011, në banesën e shtetasit Simon Braholli janë paraqitur dy persona, të cilët janë prezantuar si punonjës të Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë, që i kanë thëne se nëse donte të ndërtonte, duhet të paguante paraprakisht një shumë parash për punonjësit e Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë. Më datë 09.03.2011, një punonjës i Policisë Bashkiake Tiranë, me emrin Agustin, është takuar me një person dhe ka biseduar në lidhje me ndërtimin e shtetasit Simon Braholli. Agustini i ka premtuar personit se është shok i inspektorëve të IUVT dhe se do të bisedonte me këta të fundit, por shtetasi Simon Braholli duhet ta ndërtonte objektin për 10 ditë. Shtetasi Simon Braholli e ka takuar më datë 09.03.2011 punonjësin e Policisë Bashkiake, në afërsi të Bashkisë Tiranë dhe Agustini i ka deklaruar se më datë 10.03.2011 do të zhvillohej takimi me inspektorët që kanë kërkuar shumën e parave, me qëllim për të biseduar për pagesën e kaparit dhe problemet e tjera ndërtimore. Bazuar në materialin e referuar dhe me kërkesën e oficerit të Policisë Gjyqësore, është lëshuar vendimi për lejimin e kryerjes së veprimit simulues dhe vendimi për lejimin e përgjimit në vendet publike, të datës 10.03.2011.
Më datë 10.03.2011, sipas raportit të shërbimit të oficerit të Policisë Gjyqësore, shtetasi Agustin Lekgegaj është takuar me një person, në zonën pranë bar-kafe “Europa”, në qendër të Tiranës dhe të dy së bashku, pasi kanë marrë një taksi, kanë shkuar në drejtim të Spitalit të Sanatoriumit. Pasi kanë zbritur nga automjeti, kanë marrë rrugën “Dhimitër Mihali”, ku personi që ishte me Agustinin i ka treguar atij një ndërtesë dykatëshe. Pasi kanë qëndruar për rreth 5 minuta, të dy së bashku kanë lëvizur në drejtim të Spitalit të Sanatoriumit. Më pas Agustini është takuar me tre persona, me të cilët shkoi te banesa e ndodhur në rrugën “Dhimitër Mihali”. Aty ata qëndruan, panë ndërtesën dhe biseduan për disa minuta. Nga hetimi është identifikuar se dy nga personat që ishin me mjetin tip “SEAT”, kanë qenë shtetasit Adem Cemurati dhe Ylli Bala. Nga procesverbali i transkriptimit të përgjimit të bisedave ambientale, të zhvilluara më datë 10.03.2011 ndërmjet Agustinit dhe personit me emrin Ervin, rezulton se Agustini, që duket që më parë ka folur me një punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit, i thotë personit me emrin Ervin, se ai i Ndërtimit nuk ka qenë fare aty, por mund të ketë qenë dikush tjetër (duke nënkuptuar banesën). Agustini i thotë Ervinit se punonjësi i Inspektoratit të Ndërtimit e ka porositur që të bëjë kujdes. Më pas Agustini me Ervinin flasin për ndërtimin që do të bëhet. Ai i thotë Ervinit: “Merri ofertën”. Nga biseda e zhvilluar më datë 10.03.2011, një nga personat që erdhi dhe takoi Agustinin, i thotë Ervinit: “Vino, do merresh vetëm me Gustin, s’ke punë me asnjeri tjetër e pasi të mbarosh punë me Gustin teknikisht, do të vijë të flasë Gusti me ne”.
Sipas raportit të shërbimit të Policisë Gjyqësore të datës 11.03.2011, rezulton se shtetasi Agustin Lekgegaj është takuar me shtetasin Ervin në kryqëzimin e rrugës “Kongresi i Manastirit” me Rrugën Bardhyl. Nga biseda e zhvilluar në këtë takim ndërmjet tyre, në datën 14.03.2011, rezulton se Agustini i thotë Ervinit se që ta mbyllë këtë muhabet dhe me e përballu Policinë Bashkiake i kanë thënë se duhen 2500 euro.
Më datë 15.03.2011, sipas raportit të shërbimit të Policisë Gjyqësore, pronari i banesës, Simon Braholli, është takuar me personin me emrin Ervin, në ambiente e jashtme të një bar-restoranti, që ndodhet përballë hyrjes kryesore të Spitalit të Sanatoriumit, rreth orës 16:30. Nga biseda e zhvilluar ndërmjet këtyre dy personave, sipas procesverbalit të transkriptimit të datës 16 mars 2011, rezulton se Simoni e pyet Ervinin se sa kërkojnë ata si fillim. Nga ana e tij Ervini i përgjigjet se duan një pesëshe. Gjithashtu Simoni i thotë Ervinit që te banesa e tij ka ardhur Ylli dhe i ka bërë presion. Më datë 17.03.2011, shtetasi Simon Braholli takohet me Ervinin në një lokal përballë Sanatoriumit, ku pasi biseduan për disa minuta, Simoni i jep një zarf shtetasit me emrin Ervin.
Nga biseda e zhvilluar ndërmjet këtyre dy personave më datë 17.03.2011, rezulton se Simoni i ka dhënë një shumë parash prej 500 mijë lekësh shtetasit me emrin Ervin. Nga ana e Policisë Gjyqësore, kjo shumë parash është këqyrur me procesverbalin e datës 17.03.2011, nga ku janë bërë edhe fotokopjet përkatëse.
Më datë 18.03.2011, Agustini është takuar me shtetasin me emrin Ervin, në rrugën “Ismail Qemali”, në zonën e ish-Bllokut. Pasi kanë biseduar për disa minuta, Agustini, së bashku me Ervinin, janë futur në automjetin e Policisë Bashkiake dhe kanë qëndruar aty për disa minuta. Pasi kanë dalë nga mjeti, Agustini me Ervinin janë ndarë. Pas disa kohësh Agustini ka bërë disa lëvizje në qytetin e Tiranës. Rreth orës 17:00 ai ka ndaluar në qendër të Tiranës, te Sahati, dhe ka hyrë në Bashkinë e Tiranës, ku ka qëndruar për rreth 20 minuta.
Nga biseda e zhvilluar ndërmjet Agustinit dhe shtetasit me emrin Ervin më datë 18.03.2011, në rrugën “Ismail Qemali”, rezulton se Agustini merr nga personi me emrin Ervin shumën prej 50 000 lekësh. Më datë 21.03.2011 rezulton se Agunstini takohet me personin me emrin Ervin dhe futen në një lokal, ku qëndrojnë për disa kohë. Nga biseda e zhvilluar ndërmjet Agustinit dhe shtetasit me emrin Ervin, më datë 21.03.2011, sipas procesverbalit të transkriptimit të datës 22.03.2011, rezulton se Agustini merr nga Ervini shumë prej 300 000 lekësh. Ndër të tjera, Agustini e pyet Ervinin nëse i kishte marrë me vete 2500 eurot. Nga ana e tij, Ervini i thotë Agustinit se i bie fiks fare “50 000 lekë t’i dhashë dhe 300 000 i ke këtu”.
Pasi Agustini është ndarë me Ervinin, sipas raportit të shërbimit të datës 21.03.2011, pasi ka ndryshuar disa vende, ai, rreth orës 20:20, ka dalë nga një lokal, që ndodhet pranë selisë së Partisë Demokratike dhe me makinën e tij i është drejtuar Rrugës së Barrikadave. Pasi ka parkuar për disa minuta, nga ana e shërbimeve policore është konstatuar se paralel me makinën e Agustinit është parkuar mjeti tip “Seat”, me targë TR 7265 P. Po sipas raportit të shërbimit, drejtuesi i Seatit dhe Agustini kanë biseduar me njëri-tjetrin për disa sekonda. Më pas Agostini nga nxjerrë dorën nga xhami i derës së tij dhe i ka dhënë drejtuesit të mjetit tip “Seat” diçka të mbështjellë në një gazetë. Më pas mjetet kanë lëvizur në drejtim të bulevardit “Zogu i Parë”, tek “Piaza”, kryqëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Këtu mjetet kanë ndryshuar drejtim, ku mjeti tip “Seat” ka marrë drejtimin e rrugës “4 Shkurti”, ndërsa mjeti “Mercedes”, me drejtues Agustinin, ka marrë drejtimin Tiranë-Qendër, Rruga e Dibrës.
Nga shërbimet e policisë është bërë bllokimi i mjetit tip “Seat”, në orën 20:37, te sheshi “Uillson”, me drejtues shtetasin Adem Cenmurati dhe më pas kanë bërë shoqërimin për në Drejtorinë e Policisë së qarkut për kryerje të veprimeve hetimore të mëtejshme. Nga shërbimet e policisë është bërë bllokimi i mjetit tip “Merces benz”, në orën 20:37, me vendndodhje Rruga e Dibrës, me drejtues shtetasin Agustin Lekgegaj dhe më pas kanë bërë shoqërimin për në Drejtorinë e Policisë së qarkut për kryerje të veprimeve hetimore të mëtejshme. Nga procesverbali i kontrollit të automjetit me targë TR 7265 P, me drejtues shtetasin Adem Cenmurati, është gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma prej 230 000 lekësh. Nga procesverbali i kontrollit të shtetasit Adem Cenmurati është gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma prej 38 500 lekësh. Shuma prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) lekë, e gjetur personit nën hetim Adem Cenmuati, i përkasin shumës së lekëve të dhëna për simulimin e aktit korruptiv, ndërsa pjesa tjetër, prej 38 500 lekësh, dyshohet së i përkasin shumës prej 50 000 lekësh të dhëna si përfitim i paligjshëm nga shtetasi Simon Braholli. Nga procesverbali i kontrollit të shtetasit Agustin Lekgegaj, është gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma prej 70 000 lekësh. Nga ana e shërbimeve të policisë, të cilët paralelisht po mbanin nën vëzhgim shtetasit Agustin Lekgegaj, personin me emrin Ervin, Adem Cenmurati dhe Ylli Balaj, është bërë edhe shoqërimi për në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Tiranës i shtetasit Ylli Balaj. Me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 17.03.2011, është vendosur vleftësimi i ligjshëm i përgjimit të bisedimeve telefonike, të vendosur me vendim të prokurorit datë 15.03.2011, për numrat e kërkuar që disponohen nga personi i dyshuar Agustin Lekgegaj dhe shtetasi Simon Braholli. Më datë 15.03.2011, personi i dyshuar Agustin Lekgegaj, ka komunikuar me një shtetas, mbajtës i numrit të telefonit 069xxxx396, që sipas të dhënave të bisedës së zhvilluar, është një nga inspektoret e INUV, Bashkia Tiranë, që ka shkuar te banesa e Simon Brahollit. Agustini i thotë në telefon se “për atë muhabetin, të thashë, dhe është në rregull muhabeti”. Sipas informacionit të oficerit të Policisë Gjyqësore, datë 16.03.2011, rezulton se numri 069xxxx396 disponohet nga Ylli Balaj, me detyrë inspektor i INUV, Bashkia Tiranë dhe personi tjetër i paraqitur si inspektor i INUV, Bashkia Tiranë, është personi i identifikuar me emrin Tani, që disponon numrin e telefonit 069xxxxx22.
Bashkiakët e akuzuar
1. Agustin Lekgegaj, polic bashkiak “arrest me burg”
2. Adem Cenmurati, inspektor “arrest me burg”
3. Ylli Bala, inspektor “detyrim paraqitjeje”
“pezullim të ushtrimit të funksioneve shtetërore”
4. Simon Braholli, qytetar “detyrim paraqitjeje”
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











