Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës i ftuar në emision “Fakt” me gazetarin Çlirim Peka në “UTV”, tha se koncepti i tij në krye të Bashkisë së Tiranës është bashkëqeverisja me qytetarët.”Nuk kam ndërmend të ndërpres dëgjimin e qytetarëve. Procesi i dëgjimit, i konsultimit nuk mbaron, madje ai do të thellohet. Unë do ta dëgjoj qytetarin jo vetëm përmes këshillave konsultativë, të cilët kanë qenë më shumë një teori se sa praktikë e Bashkisë, por do t’i kthej ato në një bashkëvendimmarrje, me biznesin, me artin dhe kulturën, me botën akademike, me studentët. Bashkëvendimmarrja është një metodë shumë e mirë e demokracisë, themelohet mbi një konsensus qytetar dhe i shërben qytetarëve”, u shpreh Basha. Sipas tij, kjo do ta mbrojë punën e tij dhe të Bashkisë dhe nga ndërhyrjet e interesave të politikës. “Unë kam nevojë për këtë konsensus, sepse shpeshherë presioni i interesave klienteliste, i cili shpesh kanalizohet përmes politikës, madje dhe politikës së maxhoranacës, të gjitha këto mund dhe do të përballohen vetëm nga një bashkëqeverisje ku unë nuk jam thjesht kandidat i PD-së, që u bë kryetar i Bashkisë, apo personi që ka shërbyer në kabinetin e Kryeministrit. Jo. Unë jam njeriu që jam votuar nga këta qytetarë dhe përfaqësoj interesat e tyre dhe bashkëqeveris me këta qytetarë. Prandaj, kujdes! Po shkelët interesat e qytetarit, nuk do të keni të bëni vetëm me Lulzim Bashën, por do të keni të bëni me të gjithë qytetarët që dinë t’i mbrojnë interesat e tyre. Bashkëvendimmarrja dhe bashkëqeverisja me qytetin në format nga më të thjeshtat e deri tek më të lartat, si referendumi lokal, do të jenë rregulli i punës sime”, u shpreh Basha.
Debati
I pyetur nëse do të jetë i gatshëm për një debat publik me Ramën, kandidati demokrat u tregua i gatshëm për ta bërë atë edhe me kushtet që vetë Rama mund të vendosë. “Unë e ftoj zotin Rama në një debat qytetar për çështjet e qytetit, në një format të rënë dakord midis ekipit tim dhe ekipit të tij, në televizionet dhe moderatorët e rënë dakord mes ekipit tim dhe ekipit të tij, por, në çdo rast, edhe nëse ekipi i tij dhe ekipi im, nuk ulen për këto detaje, ia le në dorë zotit Rama të zgjedhë cilindo format televiziv dhe cilindo moderator në cilëndo kohë për të diskutuar mbi problemet e qytetit. Ai është kandidati tjetër, ka dhe kontributin e tij në këtë garë, sepse javën e fundit ka filluar të debatojë dhe disa nga platformat që unë nisa të debatoj, që nga tramvaji, taksat etj. S’duhet t’i mungojë ky debat qytetit, sepse është për të mirën e qytetarëve”, u shpreh Basha.
Takimet
Kandidati demokrat kër-koi fokusim tek çështjet e qytetarit. “Unë s’po flas për politikë, por për një marrëdhënie të re me qytetarin. Bashkia e Tiranës ka një mal me probleme dhe s’ka kohë të merret me politikë. Unë do të vendos qytetin tim dhe qytetarët e Tiranës. E kundërta ndodh sot, sepse ka një ngërç politik që kur zoti Rama u bë kryetar i PS-së. Kjo sepse kryetari i Bashkisë merret me politikë, dhe jo me punët e qytetit”, u shpreh kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës. Ai tha se një ditë në javë do të ketë takime me qytetarët për të dëgjuar problemet e tyre, por dhe kontrolluar punën e administratës. “Unë kam vendosur që çdo të premte si kryebashkiak i Tiranës do të rezervoj kohë pritje për qytetarët e Tiranës. Disa kanë rrudhur buzët me këtë deklaratë, por unë jam i sigurt se pritja dhe diskutimi me qytetarët një ditë në javë është transparenca më e madhe që mund të vendosë administrata e Bashkisë me qytetarin. Ky komunikim është kyç për mirëqeverisjen”, u shpreh Basha. Sipas tij, Bashkia e Tiranës nuk do të jetë e bunkerizuar dhe as një sportel formal që mban shënim dhe nuk zgjidh asnjë problem.
Piramida
Lulzim Basha, duke iu përgjigjur interesimit të moderatorit të emisionit, i dha përgjigje dhe çështjes së Piramidës. “Unë nuk jam për prishjen e piramidës, por jam për ndërtimin e Parlamentit të ri. Parlamenti i ri duhet të ndërtohet edhe nëse Piramida është vendi i duhur, duhet të ndërtohet aty. Piramida nuk është objekt me ndonjë rëndësi të veçantë historike, sepse në memorien time nuk ka pasur ndonjë moment të veçantë historik që është ngritur, por nuk paraqet edhe ndonjë vlerë arkitektonike të veçantë”, u shpreh Basha.











