
Me gjithë anga-zhimin e madh në fushatën elektorale, kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha, është shkëputur dje paradite për një orë nga aktiviteti politik për t’iu përkushtuar familjes.Ai ka ndjekur së bashku me vajzën e tij, Dafina, dhe bashkëshorten, Aurela, teatrin “Mamadhia dhe 7 kecat”. E ndërsa mundësia në Tiranë për të kaluar disa orë ndryshe me familjen dhe veçanërisht me fëmijët është e kufizuar, ai ka shoqëruar vajzën në teatrin e vetëm të kukullave në kryeqytet. Kjo mundësi e vetme ku fëmijët mund të shohin teatër, që ka një kapacitet shumë të vogël për mijëra fëmijët e kryeqytetit, është dhe një apel për kandidatin demokrat për të përcaktuar në programin e tij më shumë mundësi argëtimi për fëmijët e të gjitha moshave. Ndërkohë, në kuadër të fushatës elektorale, Lulzim Basha është ndalur në Njësinë Bashkiake Nr.6, ku ka prezantuar edhe kandidaten për këtë njësi vendore, Luzhiana Abazi. Kandidati i Partisë Demokratike u shpreh se në projektin e tij parashikohet ndërtimi i 16 shkollave të reja dhe krijimi i kushteve për mësimdhënie cilësore. Në këtë projekt mbështetja për studentët zë një vend të veçante. Përveç krijimit të lehtësirave infrastrukturore, Basha tha se përmes bursave dhe projekteve të veçanta do t’u krijojë mundësi të gjithë të rinjve të Tiranës të kryejnë arsimin e lartë. “Unë jam bir i dy prindërve të thjeshtë, si qindra e mijëra të rinj dhe të reja sot në këtë shesh dhe anë e mbanë qytetit tonë. I vetmi privilegj, e vemja mundësi që më është dhënë në jetë, është mundësia për një arsimim të mirë dhe për një shkollim të mirë. Unë do të punoj natë e ditë, që në këtë qytet ku sot ka me dhjetëra e dhjetëra mijë të rinj, secilit prej tyre t’i ofrohet mundësia për një arsim universitar. Sepse arsimi i qytetarëve të rinj të Tiranës është e ardhmja e Tiranës dhe qytetareve të saj”, u shpreh Basha. Në të njëjtën kohë, një tjetër pikë e programit të kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës është punësimi i të rinjve. Në këtë funksion, Basha synon që në katër vjet të thithe 1 miliard euro investime në Tiranë. Ai tha se përmes një fondi të veçante do të ndihmohen çiftet e reja për strehimin. Për sa i përket infrastrukturës, Basha bëri me dije se parashikon lidhjen e Kombinatit me Tiranën përmes tramvajit. “Sa u çudit zoti qytetar i parë kur ne folëm për punësimin. A mund të imagjinoni të dashur bashkëqytetarë të mi, se sa e çuditshme duket për çdo kryebashkiak tjetër në botë, fakti që problem i parë i qytetit dhe qytetarëve tanë nuk qenka problem i parë i kryebashkiakut tonë. Unë zotohem para jush, se zhvillimi i infrastrukturës për të mbështetur punëdhënësin më të madh në këtë qytet dhe thithja e 1 miliard eurove investimeve në Tiranë në katër vitet e ardhshme, janë prioritetet e mia numër një”, tha Basha. Sipas tij, “Kombinati dhe Njësia juaj vendore vuajnë lidhjen e ngadaltë, sfilitëse, të kushtueshme me pjesët e tjera të qytetit. Projekti im për tramvajin nuk shkon deri në Durrës, por shkon deri në Kombinat. Nuk mjafton të nxjerrim Kombinatin në qendër, ne do të sjellim standardet e Qendrës në Kombinat. Projekti ynë është plotësisht i realizueshëm, sepse ne do t’i vëmë qytetin dhe qytetarët të parët”.
Berisha: Rama nxori rrugën e vetme nga arkivat e PPSH, kemi “Rrugën e Zotit”
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, çeli dje fushatën elektorale në qytetin e Peqinit, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ilir Rrushi, i cili kërkon një mandat të dytë në këtë post, si edhe kandidatët për kryetarë komunash në rrethin e Peqinit. Nga tribuna në sheshin para qytetit, Kryeministri është zotuar se në katër vitet që do të vijnë, qeveria shqiptare do investojë një sërë projektesh për Peqinin, ku sipas Berishës vetëm pesë vitet e shkuara në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 400 kilometra rrugë, 60 prej të cilave në qytetin e Peqinit. Sipas tij “në komunat dhe fshatrat e këtij rrethi nuk ka pasur asnjë rrugë të asfaltuar, ndërsa sot në komuna po ndërtohen rrugë”, tha Berisha duke garantuar banorët e Peqinit se “do të kenë infrastrukturën më moderne të parë ndonjëherë të standardeve europiane. Duke u ndalur sërish në investimet e kryera katër vite më parë, Berisha shtoi se “në katër vitet e shkuara janë ndërtuar 70 ujësjellës, ku njëri prej tyre me një vlerë prej 2 milion dollarësh është ndërtuar në Peqin, duke garantuar qytetarët se do të kenë ujë të pijshëm 24 në 24 orë”. Sipas tij, në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 78 shkolla, ku 18 prej tyre vetëm në Peqin, duke premtuar se do të ndërtojë dhe rindërtojë shkolla të tjera. “Kjo është alternativa jonë e mundit, e djersës, e dinjitetit. Vetëm nga viti 2005 Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar ndihmën ekonomike, rrogat e arsimtarëve, pensionistëve etj. Duke folur për opozitën, Kryeministri nga Peqini u kujtoi qytetarëve nga mosha 30 vjeç e sipër periudhën kur u shemb Muri i Berlinit. “Pas 20 vitesh, pinjolli enverist Edi Rama i thotë Brukselit se në Shqipëri ka një milion të papunë, ndërsa një javë më parë Brukseli vlerësoi Shqipërinë”, tha Berisha. Duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë për ditëlindjen e Muhamedit, Berisha nga Peqini rrëfeu historinë e familjes së tij. Sipas tij “nëse njerëzit e qanin ndalimin e fesë me lot të ftohtë, familja ime e qante me lot të padukshëm përditë”. Dua t’i them Ramës se në këtë shesh kemi qytetarë të feve të ndryshme, por ne kemi tolerancë të të gjitha feve, por nuk bëri mirë që nxori nga arkivat e PPSH rrugën e vetme për të lënduar ata qindra-mijëra qytetarëve, që kur ia ndaloi diktatori Zotin, qanin me lot të padukshëm çdo ditë. Ndaj dhe ju ftoj ju të gjithëve, që të ecim në “Rrugën e Zotit”, për të cilën ne ndërtojmë jetën tonë, jemi arkitektë të jetës sonë. Ju ftojmë që në 8 maj të votojmë së bashku, për t’i treguar njëri-tjetrit se liria është pasioni, por për t’i treguar edhe Ramës që u përpoq t’i fuste vizat tuaja në kuti, se ky vend ka qytetarë europianë. Sipas Berishës, në 8 maj çdo votë do të respektohet, çdo votë do të numërohet.
Topalli: “Basha do ta mundë Ramën në Tiranë”
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, ka vijuar fushatën elektorale në komunat Gur i Zi, Postribë dhe Rrethina të qarkut të Shkodrës. Gjatë takimit me banorët, ajo foli për garën elektorale në Tiranë mes kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe kreut të PS-së, Edi Rama. “Ne jemi ata që kemi bërë zgjedhjet e 2009-s. Këto zgjedhje ishin politike, në 2009-n Sali Berisha mundi Edi Ramën, unë jam e sigurt se Lulzim Basha do ta mund në Tiranë Edi Ramën. Zgjedhjet lokale do të bëjnë të mundur që projektin tonë, ambicien tonë, qëllimin tonë, për një Shqipëri të zhvilluar në vitin 2017 ta bëjmë të mundur përmes një kooperimi midis qeverisjes lokale, administrative dhe qeverisjes qendrore me kryeministrin Berisha”, u shpreh Topalli. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit theksoi se me investime dhe projektet konkrete, të gjitha fshatrat dhe komunat e Shkodrës do të shndërrohen në zona të zhvilluara e veçanërisht tërheqëse, duke nxjerrë në pah potencialet turistike që ato ofrojnë. “PD-ja e ka bërë Shkodrën si vilë, tani duhet të bëjmë oborrin. Unë e ndiej si detyrë që rrethinat e Shkodrës t’i kthejmë në kurorën e Shkodrës, kjo pjesë kaq e bukur e rrethit tonë, këto fshatra ku ju jetoni, të cilët unë i njoh, sepse i kam vizituar pëllëmbë më pëllëmbë shumë vite më përpara, t’i bëjmë më të bukura, më të zhvilluara, por dhe t’i kthejmë ashtu siç mendojmë për Postribën, t’i kthejmë në qendra turistike”, vijoi Topalli.
© Panorama.al











