Basha: Tirana do kryebashkiak që ofron dialog

Apr 13, 2011 | 13:28

TIRANË- Në takimin e dytë me intelektualët e Tiranës, kandidati demokrat për Bashkinë, Lulzim Basha ka deklaruar se kryeqytetit i duhet një kryebashkiak që “ofron dialog dhe nuk është atentati i parë i konsensusit”.  Ai ka prezantuar projektet e tij për zhvillimin e qytetit, duke theksuar se e para është Tirana e qytetarët e saj dhe për këtë ka nënvizuar se prioriteti i programit është decentralizimi i pushtetit vendor dhe punësimi.

“Platforma ime propozon një qeverisje të decentralizuar. Kompetenca dhe përgjegjshmëri sa më afër qytetarit, me një respekt reciprok. Në këtë kontekst, konsensusi i ndërtuar ndërmjet dialogut, që ka në qendër interesin qytetar duhet dhe do të jetë baza e qeverisjes së nesërme”, theksoi Basha, gjatë fjalës së tij.

Basha premtoi politikë fiskale lehtësuese për qytetarët dhe biznesin, duke theksuar se projekti fiskal i propozuar prej tij vjen në shërbim të mirëadministrimit të taksave.

Investime për një ndryshim të Tiranës, projekte për zhvillimin e punësimit dhe zhvillimin infrastrukturor të lënë në harresë, kanë qenë disa nga pikat e tjera në të cilat kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Basha ka përmendur gjatë prezantimit të tij.

© Panorama.al

Te lidhura