
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, takoi dje banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 3 në Tiranë, të cilëve u premtoi më shumë shërbime. Në takimin me ta, Bashës iu kërkua më shumë investime në infrastrukturë, zgjidhja e çështjes së strehimit, e punësimit si dhe më shumë shërbime për të rinjtë e kryeqytetit. “Një ndër problemet që ne kemi në zonën tonë, për sa i përket të rinjve, është mungesa e një biblioteke për ata që duan të studiojnë dhe nuk kanë mundësi ekonomike ose një shërbim interneti falas për ata që duan të marrin më shumë informacione”, i tha Bashës një e re, banore e zonës. Basha premtoi se taksat do të shpenzohen me transparencë, ndërsa shtoi se nuk do të harxhohen për paga. “E para për mua është transparenca, do të tregojmë sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë. E dyta, taksat nuk do t’i shpenzojmë për rroga, paratë do t’i rikthehen qytetarit nëpërmjet shërbimeve”, tha Basha. Banorët kërkuan investime urgjente në krijimin e shkollave të reja si dhe një shërbim më të mirë pastrimi për lagjet e tyre. “Na duhet një shkollë këtu lart për fëmijët se i çojmë shumë larg. Lana është pribret. Me rrugët, aman të lutëm bëji se jemi të sëmurë”, iu ankua Bashës një qytetar. Ashtu si dhe në lagje të tjera të Tiranës, infrastruktura është tejet e amortizuar dhe e lënë në harrese prej vitesh. Dallohet vetëm një shtresë e asfaltit të hedhur në kohë zgjedhjesh. “Ne kemi problemet e rrugës, kemi vënë prita që të mos na hyjë uji nëpër shtëpia. I heqim çorapet edhe dalim zbath kur i çojmë kalamajtë në shkollë, se uji është mbi rrugë. Na mbytën hekurat, na mbytën plehrat, na mbytën pislliqet”, i tha Bashës një banor. Kandidati demokrat shtoi se këto probleme janë edhe të tijat dhe premtoi zgjidhjen e menjëhershme të tyre. “Të gjitha këtu janë problemet parësore për komunitetin dhe janë problemet e mia, jo vetëm tuajat. Ju jap fjalën, që në çdo lagje të Tiranës, ne do të ndërtojmë hapësira të gjelbra për fëmijët”, i garantoi Basha banorët. Në mbrëmje, Basha dhe bashkëshortja e tij, Aurela, ndoqën operan “Traviata” në çeljen e sezonit ne Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ai ka premtuar dhe ka në platformën e tij gjallërimin e jetës kulturore.
PS, akuza Bashës e Berishës
Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, duke folur me banorë të Njësisë 9, u shpreh se trualli në këtë zonë që ishte i projektuar për t’u ndërtuar një shkollë, u shit nga qeveria. “Ky truall që shihni, është një vend ku u bë një projekt, u miratua një fond dhe banorët do të kishin një shkollë moderne 9-vjeçare dhe të mesme. Por, Luli dhe Ruli e Saliu i tyre i rrëmbyen banorëve të ardhmen e fëmijëve të tyre. Nuk dimë kush e ka marrë, ndoshta ka rënë në duart e ndonjë “fazlliçi” për një euro”, tha Shalsi.
PD: Rama fyen çdo ditë
Partia Demokratike reagoi dje, ndaj akuzave të bëra nga kreu i PS-së, Edi Rama nga qyteti i Durrësit. “Edi Rama përsërit çdo ditë programin e fyerjeve të ulëta dhe shpifjeve jashtë çdo etike qytetare, por kjo nuk e shkurajon aspak Lulzim Bashën, i cili ka një projekt serioz për përmirësimin e jetës në Tiranë. Sepse, për Lulzim Bashën, Tirana është e para, të parët janë qytetarët e saj. Dhe për këtë, ai po merr çdo ditë mbështetje nga banorët e Tiranës”.











