Basha: Si hapen 30 mijë vende pune

Apr 29, 2011 | 10:48
Basha, dje gjatë takimeve në Tiranë

Përmes një formati të ri të paaplikuar më parë në politikën shqiptare, kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me qytetarët për projektin e tij për një qytet europian.”Townhall meeting”, siç quhet në anglisht, një formë e zakonshme në Perëndim, u aplikua dje për herë të parë në një fushatë elektorale. Basha i është përgjigjur interesimit të qytetarëve për punësimin, trafikun, infrastrukturën, luftën kundër korrupsionit, sigurinë ushqimore, çmimet, uljen e taksave e deri te politikat e tij për sportin. “Po ndërtojmë një përqasje të re. Afrimin e mendimit para çdo vendimmarrjeje, sado sinjifikative, strategjike apo parciale të jetë kjo për qytetin tonë. Ju siguroj kontaktin e përditshëm në identifikimin e problematikave, në diskutim zgjidhjesh dhe në bashkëvendimmarrje me qytetarët e Tiranës, duke filluar që sot”, u shpreh Basha në krye të takimit.
Edi Rama ka deklaruar se punësimi është politikë e qeverisë, ndërsa ju keni thënë se do të krijoni vende pune. Si do të ndodhë?
Punësimi është absolutisht prioritet i qytetit. Është dhe mbetet prioriteti im numër një. Strategjia është kjo: ulja e taksave, fondi i garancive, një rol informativ në tregun e punës, zhvillimi i infrastrukturës. Këto sjellin më shumë para për biznesin, më shumë para për punësimin, më shumë para për rrogat. Dhe dy fusha të tjera, investimi në arsimin profesional, investimi në Tiranën turistike. Këto janë drejtimet e mia kryesore për punësimin dhe të jeni të bindur kur them 30 mijë të punësuar, e kam peshuar mirë dhe jam i sigurt se si në çdo sfidë tjetër, këtë fjalë që po e jap, do ta mbaj.
Ç’mendoni ju se do të bëni për artin, kulturën në Tiranë?
Unë angazhohem që brenda planit të ri urbanistik, të gjej vendosjen e re për një galeri artesh pamore, për një teatër dhe për një qendër multimediale. Arti pamor duhet të jetë i pranishëm kudo në qytet.
Ç’do të bëni për të disiplinuar trafikun në Tiranë?
Për trafikun do të ndërhyhet në dy nivele strategjike: me Unazën e Madhe dhe tramvajin. Gjithashtu, mjafton një nënkalim te “21 Dhjetori” për të prerë një pjesë të mirë të ngërçit që trafiku ka në atë zonë të qytetit. Një ridimensionim i nyjës së trafikut te Dogana, ndërhyrja te vend-parkimet, është një tjetër ndërhyrje e domosdoshme për të rregulluar problemin e trafikut të rënduar në Tiranë.
Dua të di diçka më shumë për premtimin tuaj për një linjë telefonike antikorrupsion.
Nuk do të ketë vetëm një shpallje në Internet të të gjitha shpenzimeve të Bashkisë, si detyrim madhor, nuk do të ketë vetëm thjeshtim maksimal të procedurave, por të ketë një mundësi të drejtpërdrejtë që qytetari të ankohet për një praktikë, të cilën e gjykon potencialisht korruptive dhe denoncime të cilat shikohen se e kanë një bazë faktike, do t’i përcillen policisë për ndjekje të mëtejshme.
Duam diçka më specifike për cilësinë e ushqimeve që hamë në Tiranë…
Agjencia bashkiake e mbrojtjes së konsumatorit, që unë e kam propozuar si një instrument për të goditur çmimet e padrejta dhe për t’i normalizuar ato, do të ketë dhe një rol tjetër, bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare Ushqimore, për të siguruar standardet dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimit ushqimor në qytetin e Tiranës.
Kam një pyetje në lidhje me rikonstruksionin apo hapjen e shkollave të reja…
Jo më shumë se 25 fëmijë në klasë, është objektivi i parë i programit për arsimin, prandaj unë angazhohem brenda katër viteve të ardhshme për 6 shkolla të reja 9-vjeçare dhe katër gjimnaze të reja në territorin e bashkisë së Tiranës.
Diçka mbi platformën tuaj si kryetar bashkie për sportin?
Jam shumë i lumtur që më është dhënë rasti, në pozitën time të fundit si ministër i Brendshëm, që ato hapësira të klubit sportiv “Dinamo”, që fare mirë mund të kishin mbetur sot peng i një plani tjetër ndërtimi shumëkatësh, janë kthyer si hapësira të gjelbra të qendrës kombëtare sportive. Dhe po kështu do të veproj me çdo mundësi tjetër që kam për hapësira të gjelbra, për pishina, për mjedise sportive. Do të punoj fort për të rikthyer emocionet e derbit Tirana-Partizani, do të punoj fort për dy klubet e tjera “Dinamo” dhe “Studenti”, dhe do të punoj që gara sportive, financimi, mbështetja e këtyre garave ndërshkollore, ndërekipore, t’i sjellë gumëzhimin që i mungon qytetit të Tiranës.

Formati i ri

“Townhall meeting”, sipas enciklopedisë botërore, është një format takimi jozyrtar publik. I gjithë komuniteti i një qyteti në një takim të kësaj natyre është i ftuar të marrë pjesë, jo gjithmonë për të shprehur mendimet e tyre, por për të dëgjuar përgjigjet nga figurat publike. Në një takim të këtij formati nuk ka rregulla të veçanta ose udhëzime të caktuara për zhvillimin e tij. Në rast se në një takim ka një pjesëmarrje të madhe dhe jo të gjithë kanë mundësi për të folur, qytetarët ndahen në grupe të vogla dhe një person në secilin grup mbledh diskutimet për t’i bërë më pas të gjitha bashkë.

“Kompensim për çdo centimetër tokë”
Gjatë ditës së djeshme Basha ka zhvilluar një takim edhe me banorë të Selitës. Banorët janë ankuar për prishjen e pronës së tyre në mënyre abuzive. “Çdo centimetër katror që do të preket për të ndërtuar rrugë, do të shpërblehet me vlerë tregu. Të jeni të sigurt për këtë. E dyta; kështu, në mënyrë arbitrare, s’ka për të ndërhyrë më njeri. E treta; kudo që do të ndërhyhet për të bërë një rrugë të re, do të merret parasysh edhe zhvillimi i pronës private, që të mos rrini në kasolle ku t’ju zërë çatia. U mor taksa, do të jepet shërbimi. Taksat do të thjeshtohen dhe do të ulen. Taksa e pastrimit do të ulet trefish, ndërsa taksa e gjelbërimit dhe e tabelës do të hiqet”, i siguroi banorët Lulzim Basha.

© Panorama.al

Te lidhura