Basha: Punësim për të rinjtë para se të mbarojnë shkollën

Apr 2, 2011 | 11:44

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi rihapjen e kinemasë “Ali Demi”.Në ditën e gjashtë të fushatës për Bashkinë e kryeqytetit, Basha u takua me banorët e zonës së Ali Demit, ku tha se kinemaja e kësaj zone do të bëhet sërish funksionale. Nga ana e tyre banorët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me infrastrukturën dhe punësimin. “Asnjëherë nuk kemi parë investime në lagjen tonë. Këtu një shi bie, bëhet baltë e madhe. Faleminderit që erdhët dhe që e patë vetë. Ajo që patë para ishte vetëm fasada. Shiko këtej. Për 15 vjet nuk është dorë fare”, u shpreh një banor. Gjithashtu, taksat e larta janë një shqetësim për biznesin e vogël. “Taksat e gjelbërimit dhe të pastrimit janë shumë të larta  dhe këtu para meje është mbjellë vetëm një pemë, dhe nuk shikoj asnjë metër gjelbërim, vetëm pllaka betoni. Vetëm vjet taksa e gjelbërimit më ka ardhur 150 mijë lekë”, i tha Bashës një pronar dyqani i Ali Demit. Shtëpitë janë të vjetra dhe kanë nevojë urgjente për ndërhyrje. Gjithashtu, pronarët e vjetër kërkojnë zhvillimin e pronave të tyre. Basha u premtoi banorëve se kjo gjë do të ndodhë kur ai të jetë në krye të Bashkisë, pasi është pjesë e rëndësishme e programit të tij për kryeqytetin. “Jemi pronarët, por s’kemi gjë. I kemi dokumentet që në kohën e turkut. Nuk merret vesh se kush ia ka vënë syrin dhe kujt do t’ia japë. Më thoshin se kush ta ka hipotekuar. Kështu më thoshte ai sekretari i Ramës”, tha një banore gjatë takimit me Bashën. Gjatë takimit me banorët në këtë zonë, kandidati demokrat i siguroi ata se ka në projektin e tij për Tiranën zhvillimin dhe rigjenerimin e lagjeve në brendësi të tyre. “Kisha 21 vjet pa e parë djalin. Ju falënderoj shumë që bëtë sakrifica që ika pa vizë dhe takova çunin. Kisha që në ’90 që nuk e kisha parë”, i tha Bashës një e moshuar. Nga ana tjetër, papunësia është një tjetër çështje që prek shumë zonën “Ali Demi”. Për këtë, Basha i sqaroi banorët se e ka prioritet punësimin dhe plani i tij ka krijimin e 30 mijë vendeve të reja pune në Tiranë. “Patjetër, duhet të nisë perspektiva e punësimit, të rinisë para se të mbarojnë shkollat. Ne duhet t’i nxitim fuqimisht investimet në Tiranë. Një pikë të veçantë informacioni për studentët do të ketë në Bashki, e cila do t’i afrojë me tregun e punës”, i siguroi banorët kandidati Basha.

Aktorja Anila Bisha, zëdhënëse e fushatës së Bashës

Aktorja e njohur, Anila Bisha, do të jetë zëdhënëse e fushatës elektorale të kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime pranë selisë blu. Anila Bisha ka luajtur në disa filma si “Bolero” në 1997-n, “Nata”, në vitin 1998 dhe “Dhimbja e dashurisë” në vitin 2008. Ajo është bashkëshortja e ish deputetit të Partisë Republikane, Besnik Bisha. Gjatë ditëve të fundit, pas akuzave të ardhura nga deputetët e selisë rozë, Partia Demokratike është përgjigjur me anë të zv.ministres së Integrimit, njëherësh kryesuesja e listës së kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku. Përsa u përket detajeve të tjera të fushatës, kryeministri Berisha zbuloi dy ditë më parë se një kompani amerikane po bën fushatën e Lulzim Bashës në Tiranë. Pak ditë më parë PD-ja shpalli edhe sloganin e fushatës elektorale, i cili u drejtohet qytetarëve “Të parët jeni ju”.

Berisha: Alternativa e PS është “Fajin e ka Saliu”

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e një shkolle 9-vjeçare në Petrelë dhe rrugën Mullet-Daias, investime që kapin vlerën 52 milionë lekë. Në fjalën e tij para banorëve të zonës, kreu i Ekzekutivit u shpreh se opozita vjen në zgjedhjet e 8 majit pa asnjë alternativë. “Le t’i shtrojmë një pyetje shokut Edvin Rama: Çfarë ofron ai? Cila është alternativa jote? Alternativa e tij është ‘Fajin e ka Saliu’. Atëherë, unë do t’i them se ‘faji i Saliut’ do të bëhet sa mali i Dajtit, sepse unë do të ndërtoj rrugë, do të ndërtoj shkolla, do të subvencionoj ullishte, do të ndërtoj kanalizime. Këto, zotëria e tij i konsideron faje”, tha Berisha. Sipas tij, “këta të rinjtë e sotëm kanë fatin të mos e njohin atë sistem, por rikthen kohërat kur ti vetë bën gjykatësin, prokurorin, shpifësin, trilluesin dhe nuk sjell asgjë, asnjë alternativë, asnjë propozim asnjë sugjerim në interes të qytetarëve. Mendoj se qytetarët dinë dhe do të dinë të përzgjedhin alternativën e tyre. Mbetet e paharrueshme për mua në memorie dhe besoj edhe ju e mbani mend që rritjen e fundit të rrogave dhe të pensioneve e shpalli si një akt kriminal të qeverisë”.

Shalsi: Basha, si Olldashi në 2007-n

Deputetët e PS-së, Eduard Shalsi dhe Sajmir Tahiri, ishin dje në Kombinat, një ditë pasi në këtë zonë kishte shkuar kandidati i PD-së, Lulzim Basha. Sipas Shalsit, Basha e akuzoi Bashkinë për çështjen e ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërkohë që ato janë në kompetencë të Ministrisë së Punëve Publike. “Varavingot e Lulit të Saliut nëpër Tiranë po na kujtojnë kandidatin ambulant po të Saliut, të vitit 2007. Erdhën të dëgjojnë banorët, të cilët dje iu ankuan Lulit të Saliut për kanalizimet. Dhe ç’bëri Luli?! Si gjithmonë, shau Bashkinë e Tiranës. Pra, Luli i Saliut nuk e ka kuptuar ende, nuk e ka mësuar ende, nuk e ditka ende, se Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve është në varësinë e Ministrisë së Punëve Publike, ku ai ka qenë ministër”, tha Shalsi. Në të njëjtën kohë, deputetja Ledi Shamku e akuzoi Berishën se urdhëroi nxjerrjen e fëmijëve në mitingun e qeverisë në një ditë pushimi për ta.

© Panorama.al

Te lidhura