
Kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, paraqiti platformën e tij për zhvillimin urban të kryeqytetit, në një takim me arkitektë dhe urbanistë, me pedagogë dhe studentë të arkitekturës dhe planifikimit urban.Në qendër të investimeve të mëdha infrastrukturore dhe fitimin e hapësirave publike, për Lulzim Bashën qëndron respekti për pronën private. “Propozimi im është hartimi i planit urbanistik të Tiranës dhe paraqitja e tij, jo më vonë se shkurti i vitit 2012. Ky plan do të harmonizojë këta interesa të zhvillimit; të individit më të thjeshtë, të vogëlushit, të prindit, deri tek interesat e zhvillimit të korporatave të mëdha, të punëdhënësve të mëdhenj të Tiranës. Unë propozoj bashkëvendimmarrje totale me të gjithë qytetarët e Tiranës për miratimin e këtij plani. Bashkëvendimmarrje, e cila në optikën time nuk ka pse të mos marrë edhe formën e një referendumi qytetar për planin e përfunduar sipas kritereve, parimeve bazë që sot udhëheqin plane të tilla në të gjithë Europën. Me pjesëmarrjen e plotë, deri në këtë fazë, të gjithë ekspertëve, duke përfshirë të nderuar pedagogë, duke përfshirë të nderuar studentë, edhe mendimin tuaj në çdo fazë të hartimit”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat për Tiranën e vuri theksin dhe në përmirësimin e infrastrukturës. “Ne duhet patjetër të nisim menjëherë punën për infrastrukturën e munguar, Unazën e Madhe, si një domosdoshmëri për konektivitetin, për ndërlidhjen brenda qytetit të Tiranës, për të reduktuar trafikun, për të reduktuar koston e tij, karburantin, kohën e humbur, oportunitetet e humbura nga personat, mallrat dhe shërbimet. Paralelisht, në Unazën e madhe do të nisë puna për të gjithë sistemin kapilar të rrugëve, rrugët kryesore, rrugët sekondare, vendparkimet, rrjetin këmbësor, apo biçikletave, por edhe rrjetin e transportit publik të Tiranës. Dhe pjesë e rrjetit të transportit publik të Tiranës që sot është një gangrenë e vërtetë, do të jetë domosdoshmërisht tramvaji. Tramvaji në aksin Kinostudio-Kombinat do të jetë prioritet absolut i axhendës sime që në vitin e parë, dhe pas kësaj, edhe të linjës Bregu i Lumit-Selitë”, u shpreh Basha. Duke shpjeguar filozofinë e tij, se si do të vihet në jetë plani i ri urbanistik për Tiranën, Basha tha se dy janë parimet kryesore në këtë drejtim. “E para, respekt i plotë për pronën private, për çdo centimetër katror të pronës private, dhe së dyti, rifitimi i hapësirave publike, në mënyrë që të mos kemi më pallate ngjitur me njëri-tjetrin, dhe hapësira të gjelbra që zhduken. Dy do të jenë parimet e trajtimit të pronës private, shpronësim me vlerë e tregut për ndërtimet e mëdha infrastrukturore siç është Unaza e Madhe dhe e dyta formula e transformimit të së drejtës së zhvillimit në hapësira të reja që do të krijohen ose brenda quartaleve, ose në arteriet e reja të zhvillimit që ne propozojmë, siç janë ato përgjatë lumit të Tiranës, apo në aksin e ri nga Stacioni aktual i Trenit tek Bregu i Lumit”, u shpreh Basha.
Me fasonistët
Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, Basha shprehu angazhimin e tij për ngritjen e një parku për biznesin fason, ku përveçse do të prodhohet, do të ekspozohen dhe shiten prodhimet shqiptare. Gjatë vizitës në një fabrikë fasone, e cila me hapjen e një linje të re parashikonte të punësonte rreth 60 punonjës, Basha tha se “bashkia e drejtuar prej tij, do të krijojë të gjitha lehtësirat në mënyrë që të nxitet biznesi dhe të ulen çmimet”.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











