
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje investime për të lehtësuar trafikun, veçanërisht për qytetarët që zgjedhin linjat e autobusëve. Basha zgjodhi të udhëtonte vetë për disa stacione me autobusin e linjës “Kinostudio-Kombinat”. Në komunikimin me qytetarët ai premtoi ndryshimin e sistemit dhe vendosjen e një bilete për të gjitha linjat. “Do të nisim urgjentisht investimet për të ndërtuar nënkalime për të lidhur këto pjesë rruge. Sistemi i transportit do të thjeshtohet në mënyrë që qytetari, me biletën e prerë, brenda një ore, brenda dy orësh, brenda tri orësh, sipas tarifës, të ketë mundësi të qarkullojë në të gjithë qytetin me një biletë”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat ka paraqitur platformën e tij, ku parashikohet edhe tramvaji. Po kështu, ai tha se orari i transportit në periferi do të jetë i njëjtë me atë në qendër. Edhe në skajet e Tiranës do të ketë shërbim transporti në orët e vona të natës. “Taksat paguhen, çmimi i biletave paguhet, por nuk ka menaxhim, i cili në qendër të vëmendjes të ketë cilësinë e udhëtimit të qytetarëve të Tiranës. Tramvaji do të jetë një zgjidhje brenda arterieve kryesore. Brenda 12 muajve të parë do të nisin punimet për tramvajin Kinostudio-Kombinat. Duhet patjetër që shërbimi urban në periferi të vazhdojë deri në oraret që vijon edhe në qendër të qytetit”, tha Basha. Për të lehtësuar trafikun, kandidati demokrat parashikon në platformën e tij ndërtimin e Unazës së Madhe, një nënkalim te “21 Dhjetori”, vend-parkime nëntokësore etj. “Eficienca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla, siç do të jenë nënkalimet te ’21 Dhjetori’ dhe riparimi i këtij rreth-rrotullimi sepse mënyra se si ky investim është bërë është e gabuar dhe jep impakt të drejtpërdrejtë në bllokimin e trafikut që në hyrje të Tiranës”, tha Basha në rreth-rrotullimin e Doganës në Laprakë.
Basha: Bashkia do marrë Ujësjellësin
“Çdo pronar do të zhvillojë pronën, jo kujt t’i bjerë bixha”
Kandidati demokrat në Tiranë, Lulzim Basha, premtoi dje në Njësinë Bashkiake Nr. 8 vlerësimin e pronës së qytetarëve autoktonë. Në këtë takim ai prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Arben Tafaj, i cili rikandidon për një mandat të tretë. “Ne do t’u japim pronarëve autoktonë dhe çdo pronari tjetër në Tiranë, mundësinë të zhvillojë pronën e tij me koeficientin më të lartë të mundshëm të zhvillimit dhe të marrë prej tij frytet më të mëdha të mundshme. Dhe jo kujt t’i bie bixha e të bëhet milioner, e dikush të shohë pronat t’i kthehen në baltë e në pluhur”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij. Në të njëjtën kohë, kandidati i Partisë Demokratike premtoi investime në ujësjellës dhe kanalizime. Basha tha se një nga vendimet e para të Bashkisë së Tiranës pas 8 majit do të jetë marrja nën përgjegjësinë e saj të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilën Rama deri tani e ka refuzuar. “Për kundërshtim me heqjen e përgjegjësisë nga vetja, nuk është pranuar të merret në dorëzim Ujësjellës-Kanalizimet për më shumë se dy vjet. Po ju them se transferimi i tyre nën varësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës do të jetë një ndër veprimet e mia të para si kryebashkiaku juaj i ardhshëm. Unë do të vë, në lëvizje, në tre muajt e parë, projektin që vetë e negociova në 2006-n si ministër i Transporteve, të Ujësjellës-Kanalizimeve, 100 milionë euro për të gjithë Tiranën”, tha Basha. Ai i garantoi banorët e Tiranës se do t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë praktikës së pagimit të taksave dhe mungesës së shërbimeve nga Bashkia. Kandidati demokrat u rikthye sërish në Njësinë Nr. 8, ku filloi rreth 3 javë më parë fushatën elektorale për Bashkinë e kryeqytetit. “Kam emocionin më të madh të jetës sime të ndodhem sot para jush, në rrugica si këto, që mbeten për mua gjëja më e shenjtë për shpirtin tim. Zemra ime, sytë e mi, veshët e mi, gjithë ekzistenca ime është drejtuar drejt realizimit të projektit të qytetarëve të mi dhe unë do të merrem vetëm e vetëm me këtë punë. Këto vlera, kjo dashuri, mes së cilës unë u rrita, kjo edukatë qytetare, mes së cilës përpara jush këtu, nga kjo lagje, nga kjo rrugicë dhe nga dhjetëra qindra si këto anë e mbanë Tiranës, nis projekti im për Tiranën moderne europiane”, tha Basha.
© Panorama.al











