Basha: Në nëntor, hipotekat në dorë

Apr 17, 2011 | 11:17
Lulzim Basha në Njësinë Nr.5 duke prezantuar kandidaten e LSI për minibashkinë, Erisa Xhixho

Brenda 6 muajsh do të hipotekohet çdo apartament në Tiranë. Në nëntor, qytetarët do të kenë hipotekat “në dorë”.Ky është angazhimi i shprehur nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në Njësinë Nr.5. Me këtë rast, Basha ka prezantuar kandidaten e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetare të kësaj Njësie, të zgjedhurën nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho. Duke i dhënë asaj mbështetjen e koalicionit të djathtë, Basha vlerësoi figurën e Xhixhos, duke u bërë thirrje qytetarëve të kësaj zone që ta votojnë atë në zgjedhjet elektorale të 8 majit. Më tej, ai premtoi se pas 8 majit qytetarëve do t’u ofrohet një Bashki dhe kryebashkiak i një lloji të ri, që do të shohë dhe dëgjojë problemet e qytetarëve. “Përpos vendosmërisë sime për të hipotekuar dhe për të kthyer në kapitale në duart tuaja banesat ku ju jetoni, po kështu jam i vendosur, jo të zmbraps, por të rikrijoj bashkë me ju hapësirat e gjelbra që sot mungojnë. Hapi i parë është hedhur me kthimin e një hapësire të gjelbër, të projektuar për t’u betonizuar, pranë ish-klubit sportiv “Dinamo”. Jam krenar që pata mundësi të bëj këtë për sportin, për lagjen tuaj, për Tiranën”, tha Basha, ndërsa më pas tregoi një episod me vajzën e tij të vogël, para se të dilte nga shtëpia. “Para se të vija këtu, dola nga banesa ku ishte edhe vajza ime 4-vjeçare. Më pyeti se ku po shkoj dhe i thashë që po shkoj në një takim. Për çfarë do të flasësh, më tha. Për gjëra të ndryshme. A ka të vegjël aty? Mund të ketë, i thashë unë. Po çfarë do t’u premtosh të vegjëlve? Ia ktheva me një pyetje, se çfarë kërkon që t’u premtoj të vegjëlve nga ty? U mendua fare pak dhe më tha: ‘Jepu një përqafim nga unë!’. Pastërtia e shpirtit e të vegjëlve tanë na tregon se ku duhet të fillojmë”, rrëfeu Basha, duke theksuar se “ne kemi vendosur së bashku t’i ofrojmë një përqasje të re qeverisëse. Një bashki dhe një kryebashkiak të llojit të ri, një bashki me zemër për qytetin dhe qytetarët”. Sipas tij, konflikti politik nuk është rruga e zgjidhjes, aq më pak rruga e vetme për qytetin tonë. “Ne kemi vendosur së bashku një pakt zemrash, Tirana jonë është e para, ju jeni të parët”, përforcoi deklaratën kandidati Basha. Më tej, ai siguroi edhe një herë qytetarët se punësimi mbetet në krye të axhendës së tij. Investimet publike, ulja e taksave të biznesit do të jenë dy hapat e mëdhenj drejt gjenerimit të vendeve të reja të punës. Lulzim Basha shprehu në këtë takim angazhimin dhe përkushtimin e tij për ndërtimin e unazës së madhe, e cila çliron trafikun, përmirëson cilësinë e udhëtimit dhe të ajrit në kryeqytet. Po kështu, ai theksoi se do të ndërhyhet në lagjet e Tiranës për t’i asfaltuar dhe për të krijuar hapësira të gjelbra. “Unë ju siguroj se vlerë mbi vlerat, program mbi programet, zotim mbi zotimet e kryebashkiakut tuaj të ardhshëm, është të konsiderojë çdo problem të qytetarit e qytetit si problemin tim personal”, tha Basha.

Berisha: Nuk merrem me të dështuarit, por me integrimin

Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Berat, ku zhvilloi takimin elektoral të radhës për zgjedhjet vendore të 8 majit. Pasi ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ilir Deçolli, për kryetar bashkie të këtij qyteti, Berisha u shpreh i bindur se më 8 maj Berati do të jetë blu. “Qyteti i Beratit këtë radhë e di se për kë do të votojë. Ai do të votojë për kandidatin Ilir Deçolli, i cili është një nga figurat më të spikatura në qytetin e Beratit. Unë ju bëj thirrje që të votoni kandidatin tonë. Ky është njeriu që do të nxjerrë Beratin nga ferri, që e kanë futur drejtuesit e Partisë Socialiste”, tha Berisha. Më tej, ai ka bërë një përmbledhje të investimeve që qeveria ka bërë në Berat, si dhe projektet që ka për të ardhmen në këtë qytet. “Ne kemi investuar dhe do të të investojmë për këtë qytet qindravjeçar. Ne do të investojmë në zhvillimin e turizmit në këtë zonë të mrekullueshme. Do të asfaltojmë të gjitha rrugët e qytetit, që kanë mbetur në pikë të hallit jo pse nuk kemi investuar ne si qeveri, por fondet janë zhdukur në këtë qytet. Të ardhurat tatimore nuk dihen se ku kanë përfunduar. Qeveria jonë do të investojë në zonat muzeale, duke krijuar kushte më të mira për vizitorët e huaj. Votoni kandidatin tonë, që Berati të marrë frymë lirshëm!”, deklaroi Kryeministri. Më tej, ai ka kaluar në akuzat për kryesocialistin Rama, duke e cilësuar atë si të dështuar. “Ne nuk do të merremi me të dështuarit, siç është Rama. Ai ka dështuar dhe vazhdon të dështojë. Ne kemi vizionet tona për Shqipërinë dhe ato do t’i bëjmë realitet. Ne bëmë që shqiptarët të lëvizin lirshëm në të gjithë në Europën. Ndërsa ata kërkonin të na prishnin punë, duke vepruar në mënyrë antishqiptare”, u shpreh Berisha, ndërsa premtoi më shumë investime dhe vende pune në zonën e Beratit.              d.xh

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura