Basha me studentët: Ja si do hap vende pune

Apr 29, 2011 | 18:06

TIRANE- Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha gjatë një takimi me studentët e fakultetit Ekonomik shpjegoi mënyrën se si do të krijojë vende të reja pune për kryeqytetin.

Basha u tha studentëve se ka një plan konkret pune, i cili do të realizohet duke hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe ato infrastrukturore.

“Me një përllogaritje minimale modeste, ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesin në tërësi në Tiranë, për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune. Do të vazhdojmë me një fond special garancisë, duke ndjekur një përvojë të suksesshme të USAID-it dhe një pakt në tregun e punës, për hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës. Mbi 5 800 vende pune do të hapen vetëm nga punimet e Unazës së Madhe.  Arsimi profesional dhe turizmi janë dy shtylla të tjera, në të cilat ne duhet të ecim fuqishëm, për të gjeneruar punësim dhe mirëqenie në qytetin tonë”, tha Basha para studentëve të ekonomikut.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, kandidati I “Aleancës për qytetarin”, për Bashkinë Tiranës, tha se karta e premtuar studentore do të vihet në dispozicion duke filluar nga shtatori e këtij viti.

Prioritete të tij të tjera në interes të studentëve, janë, ndërtimin e kampuseve universitare dhe bibliotekes dhe bursat për studentët e shkëlqyer apo ata me pamundësi ekonomike.

© Panorama.al

Te lidhura