Basha: Lejet për ndërtimet e vogla do jepen në minibashki

Apr 22, 2011 | 10:31
Basha dje gjatë takimit me tregtarët

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje lehtësimin e procedurave për rikonstruksionin e shtëpive.Gjatë një takimi në Njësinë Bashkiake Nr. 10, ku prezantoi kandidatin e koalicionit të djathtë, Blendi Fuga, ai u shpreh se qytetarët do t’u detyrohen njësive vendore dhe jo Bashkisë për volume të vogla ndërtimesh. “Në planin urbanistik të Tiranës, dy do të jenë kriteret themelore, koeficienti më i lartë i mundshëm i zhvillimit të pronës private dhe rifitimi maksimal i hapësirave publike. Çfarë kuptimi ka të vërtiteni me letra në duar, të paguani tarifa pas tarifash, kur ju pikon çatia, për të hapur një dritare të vetme, apo për një volum të vogël ndërtimi? Kjo duhet të marrë fund dhe do të marrë fund sepse këto kompetenca dhe shumë e shumë kompetenca të tjera do të vijnë në nivelin më afër qytetarit te kryetari i Njësisë Bashkiake dhe më pranë jush”, u shpreh Basha. “Nëse jeni ngopur me politikë, nëse jeni plot me shpresë për një qytet tjetër, nëse jeni gati ta vendosim qytetin tonë të parin, qytetarët tanë të parët, atëherë unë ju them se unë jam gati. Jam në shërbimin tuaj, jam në dispozicionin tuaj dhe do të punoj me mish dhe me shpirt për t’ia arritur kësaj. Do ta nisim me investimet, me ndërhyrjet nga nënkalimet dhe parkimet nëntokësore brenda qytetit, deri në vepra të tilla, të cilat sot janë po aq të pamenduara sa Durrës-Kukës para 5 vitesh, po aq të papërfytyrueshme sa lëvizja e lirë e qytetarëve para 3 apo 4 vitesh, por që nesër do të jenë një realitet i prekshëm për qytetarët e Tiranës. Nga tramvaji Kinostudio-Kombinat, te Unaza e Madhe, e cila do të qarkojë qytetin”, theksoi më tej kandidati demokrat. Gjatë ditës së djeshme Basha u takua me tregtarët te uzina “Dinamo”, ku i siguroi ata se Bashkia do të ulë taksat, do të rrisë shërbimet dhe do të ulë firon. Sipas tij, tri prioritetet pas 8 majit do të jenë: ulja e taksave, ofrimi i shërbimeve dhe garancia që malli të transportohet sa më shpejt në vendin ku tregtohet. “Unë premtoj angazhimin tim që të projektojmë së bashku, brenda 12 muajve, vendin ku do të ndërtohet shkolla e re, vendin ku do të ndërtohet, po ashtu, qendra shëndetësore. Gjithçka do të bëhet duke respektuar plotësisht pronën private, asnjë tullë nuk do të lëvizet pa kompensuar me vlerën e plotë të pronës pronarët e ligjshëm. Ju siguroj që për mua, Tirana europiane fillon nga lagjet europiane. Sepse po qe për qendrën, i kemi vënë 3-4 herë emra francezë, zviceranë, belgë dhe mund të marrim kështu të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por nuk është kjo që e bën Tiranën europiane”, tha Basha. Kandidati demokrat i ka garantuar banorët se një nga vendimet e para në krye të Bashkisë do të jetë marrja në administrim e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe nisja e punës për përmirësimin tërësor të këtij rrjeti.

LSI: Do çlirojmë hapësirat publike

Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë Bashkiake Numër 5 në Tiranë, Erisa Xhixho, ka premtuar krijimin e hapësirave publike për fëmijët dhe të moshuarit, duke i lidhur ato edhe me zgjidhjen përfundimtare të hipotekave. “Do të çliroj gjithë hapësirat publike që t’i vëmë në dobi tuajën, për fëmijët e nipërit tuaj. T’i çlirojmë ata nga çdo lloj stresi dhe të menaxhojmë këto hapësira që kanë ngelur. Zgjidhja e problemit të hapësirave publike, por jo vetëm, lidhet me zgjidhjen përfundimtare të hipotekave. Unë kam një angazhim shumë të madh, që është edhe problemi juaj i përditshëm, që e kam hasur dhe nga shumë banorë në takimet e mia është dhe çlirimi i një kapitali shumë të madh që do të ndodhë me zgjidhjen përfundimtare të hipotekave që është këtu afër jush”, tha ajo. Sipas saj, me çlirimin e këtij kapitali do të bëhen të mundura investime më të mëdha, “që do të thotë se biznese të reja do të hapen. Kjo do të bëjë të mundur që të punësohen dhe njerëz të rinj dhe njerëz të cilët do të mund të krijojnë një kapital të tyren dhe për familjen e tyre”.

Mediu: Do zgjidhim çështjen e pronave

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi dje një takim elektoral në Kukës, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie të “Aleanca për qytetarin”, Hasan Halilaj. Duke vlerësuar figurën e kandidatit, Mediu u shpreh se “tashmë është e qartë se përparësia që ka ‘Aleanca për qytetarin’ është vetë individi, vetë qytetari dhe për këtë ka zgjedhur njeriun më të mirë për të qenë çdo ditë afër halleve dhe nevoja të banorëve të Kukësit. Por në këtë kontekst, tashmë lind detyra e kryetarit të bashkisë që të krijojë një solidaritet social, në mënyrë që bashkia të kthehet në familjen dhe në shtëpinë e çdo qytetari”. Më tej Mediu u ndal në çështjen e pronave, ku theksoi: “Unë do të jem së bashku me ju për të zgjidhur çështjen e pronave të fermave bujqësore, apo problemet që keni me sipërfaqet e tokës të përmbytur nga liqeni”. Sipas tij, pushteti lokal është qeverisja e qytetarëve në komunitetin e tyre. “Prandaj ‘Aleanca për Qytetarin’ është në këtë fushatë, në rrugëtimin e përbashkët, duke dëgjuar me vëmendje çdo problem të tyre, për t’i zgjidhur ato”.

© Panorama.al

Te lidhura