Basha lë postin e ministrit

Mar 25, 2011 | 10:22

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, jep dorëheqjen nga posti që e mban prej shtatorit të vitit 2009 dhe nga mandati i deputetit që e fitoi në qarkun e Elbasanit.Këtë e bëri të ditur dje zyra e shtypit e kësaj ministrie. Lënia e detyrës që mbante vjen një ditë para se Partia Demokratike ta prezantojë atë si kandidatin e koalicionit të djathtë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 8 majit. “Z. Lulzim Basha i ka paraqitur sot Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, dorëheqjen nga detyra e ministrit të Brendshëm. Po sot, zoti Basha, në një letër dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar se pasditen e sotme, në orën 17:00, do të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar ku do të zyrtarizohet edhe kandidatura e Bashës për Bashkinë e kryeqytetit. Sipas statutit të PD-së, janë Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e partisë dy forumet që miratojnë kandidaturat për pushtetin lokal, por Kryesia nuk do të mblidhet për shkak se i ka përfunduar mandati. Në këto kushte, do të jetë Këshilli Kombëtar ai që do të zyrtarizojë “de jure” kandidaturat. Një orë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar do të zhvillohet edhe prezantimi i kandidatit Basha në një takim në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Por, ministri i Brendshëm nuk do të jetë lëvizja e fundit në kabinetin qeveritar përpara zgjedhjeve të 8 majit. Gjatë ditëve të ardhshme do të japë dorëheqjen nga posti që mban edhe ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili do të kandidojë në qytetin e Durrësit. Xhaferri, njësoj si Basha, do të lërë edhe mandatin e deputetit përpara se të regjistrohet në KZAZ-në e qytetit bregdetar. Një tjetër lëvizje brenda Grupit Parlamentar demokrat do të jetë edhe lënia e mandatit nga deputeti i qarkut të Vlorës, Ardian Kollozi. Kreu i degës së PD-së së këtij qyteti, i kontaktuar nga gazeta, tha se shumë shpejt do ta lërë mandatin për të zyrtarizuar edhe ai në KZAZ kandidaturën për postin e kryetarit të Bashkisë. Seanca e djeshme parlamentare ka qenë e fundit kur Basha, Xhaferri dhe Kollozi kanë marrë pjesë për shkak se fillimi i javës së ardhshme do të jetë afati i fundit për t’u regjistruar në zgjedhjet e 8 majit.

Lëvizjet në Grupin e PD

Në Elbasan Ikën Lulzim Basha
Vjen Aurel Bylykbashi

Në Durrës Ikën Ferdinand Xhaferri
Vjen Ndriçim Babasi

Në Vlorë Ikën Ardian Kollozi
Vjen Kosta Barka

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura