Basha kërkon votën e çamëve: Do heq 60 taksa

Apr 3, 2011 | 10:09

Basha me banorët e Njësisë Nr.2 në Tiranë

Basha takon banorët e Njësisë Nr.2

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premton se nëse fiton, do të heqë 60 taksa dhe tarifa vendore, ndërkohë që do të ulë ndjeshëm ato që mbeten. “Nga 82 taksa që ka bashkia, 60 prej tyre do t’i heq, të tjerat do t’i ulë minimalisht dy herë, por deri në pesë herë”. Këto deklarata Basha i bëri para banorëve të njësisë bashkiake Nr. 2, ku dëgjoi prej tyre shqetësimet që kanë të bëjnë me transportin publik, punësimin, uljen e taksave, arsimimin dhe zhvillimin e zonës. Për transportin publik kandidati demokrat premtoi se pensionistët dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeç do udhëtojnë falas, kurse për qytetarët e tjerë do të jenë tarifa të pranueshme”, u shpreh Basha.

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i dha mbështetje dje kandidatit të maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës.Në ceremoninë zyrtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 8 majit, salla e Pallatit të Kongreseve i dha mbështetje dhe inkurajim kandidatit Basha, i pranishëm në sallë. Në fjalën e tij, kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, nuk la pa prekur dhe çështjen çame. “Çështja çame mund, duhet dhe do të zgjidhet në bazë të konventave ndërkombëtare”, deklaroi Basha. “Vij me respektin më të madh për ju dhe sakrificën tuaj, unë respektoj veprën e gjyshërve të mi, atë të çdo shqiptari. Jam para jush si kandidati për zgjedhjet e ardhshme të Tiranës. Një nga çështjet e rëndësishme që është lënë pas dore për një kohë të gjatë, është çështja e qytetarit dhe hallet e tij, një vizioni që ne ia afrojmë në mënyrë konkrete çdo qytetari të Tiranës”, theksoi Basha. Kandidati për Bashkinë e Tiranës kërkoi që në qendër të kësaj fushate të jenë problemet e qytetarit dhe jo lufta politike. “Problemet e këtij qyteti janë të shumta dhe të mëdha, vendet e punës janë të pakta, çmimet e strehimit janë të larta, trafiku është kthyer në gangrenë, ndotja është e pranishme nga do, parqet dhe lulishtet janë të pamjaftueshme, taksat bashkiake janë shumë të larta dhe korrupsioni, shumë i përhapur. Një situatë e tillë kërkon angazhim total dhe përkushtim të pandërprerë. Sloganet politike, urrejtja partiake, lufta e egër politike nuk zgjidh asnjë nga këto probleme”, u shpreh Basha.
Premtimet
Kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, duke marrë vazhdimisht mbështetjen e përkrahësve të PDIU-së, tha se dita e parë e punës së tij si kryebashkiak do të nisë me projekte ambicioze për qytetin. “Dita ime e parë si kryebashkiak nuk do jetë ditë fitoreje, por ditë pune. Unë do filloj me ngritjen e një agjencie, një agjenci të veçantë bashkiake, roli i së cilës është të mbrojë konsumatorët, qytetarët e këtij qyteti nga kushdo që spekulon me çmimet, duke identifikuar, duke e raportuar, duke turpëruar publikisht dhe duke i goditur ata që spekulojnë me çmimet e larta në tregjet e këtij qyteti”, u shpreh Basha. Vendet e reja të punës dhe ulja e taksave mbeten nga prioritetet kryesore të kandidatit të maxhorancës. “Unë kam premtuar dhe dua të përsëris sot para jush angazhimin tim për punësim në Tiranë, nëpërmjet hapjes së 30 mijë vendeve të reja të punës, me paga më të larta. Unë do të heq 60 taksa dhe do ul dy deri në pesë herë ato taksa që mbesin. Tirana do të kthehet në qytetin më tërheqës për investimet, jo për investitorë nga shqiptarë, por nga e gjithë bota. Unë kam premtuar dhe do bëj realitet ndërtimin e një parku të ri të madh dhe një biblioteke universitare të Tiranës, ku mund të studiojnë jo vetëm studentët e sotëm në Tiranë, por dhe projeksioni ynë europian për të pasur infrastrukturën për 100 mijë studentë. Tirana do të ketë tramvaj, jo për simbolikë, nga që kanë kryeqytetarët e tjerë europianë, madje dhe të rajonit, por për t’i shërbyer zgjidhjes së një ngërçi të madh, të prekshëm që mundon sot çdo qytetar të këtij qyteti, atë të transportit publik”, u shpreh Basha. Ai kërkoi votën e qytetarëve, për të nxjerrë vendin nga politika e vjetër e mllefeve dhe urrejtjes. “Sot gjendemi përpara dy rrugëve. A do të shkojmë nga politika e vjetër e urrejtjes, ndasive, mllefeve, gjuhës së egër dhe jo zgjidhjeve, apo do bëhemi bashkë për të ecur në rrugën që na çon drejt shanseve të reja, mundësive dhe zgjidhjeve të mëdha për çdo qytetar dhe Tiranën, unë kam zgjedhur këtë të dytën”, u shpreh kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës.

PDIU çel zyrtarisht fushatën në Tiranë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit, në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Fushata është çelur nga presidenti i nderit të PDIU-së, Tahir Muhedini, i cili nën brohoritjen e mbështetësve “E duam Çamërinë!”, theksoi se “PDIU është partia ku bashkohen idealet dhe dëshirat tona, është partia e çështjes çame”. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se sot çështja çame është më e fortë se kurrë. “Ne e duam Shqipërinë, ne e duam Kosovën, ne e duam Çamërinë. Shumë nga ne kemi si pikënisje Çamërinë. Sot kjo çështje është më e fortë se kurrë, ajo ka rilindur. Padrejtësitë nuk mund të harrohen, ne nuk harrojmë dhe ne do të kërkojmë drejtësinë e munguar”, theksoi në fjalën e tij Idrizi.

Tahir Muhedini: Çështja çame, qëllimi ynë

Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, deklaroi në hapje të fushatës se qëllimi i kësaj force politike është bashkimi për çështjen çame. Muhedini shtoi se “Duhet të jemi të bashkuar për çështjen çame, të bashkohemi për kauzën tonë të madhe. PDIU është Partia ku bashkohen idealet tona, partia e çamëve, e gjithë shqiptarëve dhe çështjeve të pambyllura të shqiptarëve”, u shpreh Muhedini.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura