
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka hedhur poshtë dje akuzat e opozitës për shtëpinë e padeklaruar në Holandë dhe pasaportën amerikane. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “News 24”, Basha ka shpjeguar përse e bleu dhe më pas e shiti shtëpinë kur erdhi në Tiranë, në vitin 2005.
Në media dhe deklaratat e opozitës, një shitblerje e një apartamenti në Holandë ka krijuar shumë polemika. Ju bëhet akuza se e keni deklaruar në 2007-n, se e keni shitur 200 mijë euro dhe ndërkohë e keni shitur në vitin 2008…
Jo, nuk është e vërtetë, është tërësisht një trillim, sikundër trillimet e tjera që sot u ekspozuan edhe në median tuaj, edhe në mediat e tjera, për të ashtuquajturën pasaportë amerikane. Referojuni deklaratës së ILDKP-së, e cila jo vetëm ka verifikuar të plota të gjitha deklarimet e mia pasurore, por ka çuar në 2006-n personelin e vet me paratë e taksapaguesve shqiptarë në Holandë, për të verifikuar çdo aspekt të blerjes dhe shitjes së apartamentit. Deklarata e ILDKP-së është përgjigjja më e mirë për këtë trillim të fundit që vjen si e vetmja alternativë, baltosja e kundërshtarit. Apartamenti është blerë me kredi, e cila është marrë në bankë. Apartamenti është shitur kur unë u shpërngula për në Tiranë pas punës në OKB dhe ime shoqe erdhi këtu. Pse e blemë apartamentin? Sepse pagesa e rentës mujore të apartamentit është më e lirë sesa qiraja. Qiratë janë më të shtrenjta sesa pagesat e rentës edhe për shkak të legjislacionit, nëse je i punësuar mund të heqësh pjesën e rentës nga taksa. Na binte të paguanim 600 euro në muaj për një apartament që e kishim blerë me kredi, ndërkohë që për atë apartament renta mund të shkonte 1500 euro. Për këtë arsye e blemë. Kur nuk jetonim më në Utreht, nuk kishte më kuptim sepse ishin para të harxhuara kot. E shitëm dhe me paratë e shitjes u la kredia. Kaq është e gjithë historia. E gjithë pjesa tjetër është një trillim që manifeston edhe njëherë faktin që kundërshtari nuk ka alternativë tjetër veçse të përbaltë kundërshtarin.
Noteri thotë që “ngatërrova vizën amerikane”. Ju si jurist, kur bëtë një akt noterial, nuk e patë që ishte lapsus?
Bëhet fjalë për një akt noterial të vitit 2001, ku në një paragraf, në vend që të thuhet “pasaporta shqiptare”, thuhet “pasaporta amerikane” dhe numri është i pasaportës sime shqiptare. Ja ku e keni një fotokopje të vizës sime amerikane mbi një pasaportë shqiptare. Rregullorja e Ministrisë së Jashtme e pajis ministrin e Jashtëm me më shumë se një pasaportë diplomatike.
Për çfarë ju duheshin?
Nuk e kam kërkuar unë. Ka qenë rutinë, sepse kur ministri udhëtonte diku dhe duhet të merrte një vizë tjetër, diku tjetër, nuk mund të parandalohej udhëtimi; ka qenë praktikë standarde. Unë sot kam një pasaportë dhe kjo është pasaporta biometrike, e cila bën të mundur të lëvizë sot qytetari shqiptar siç lëvizte dikur diplomati shqiptar. E dini për çfarë më vjen keq? Nuk më vjen keq se po bëhen këto sulme, sepse ja ku janë përgjigjet për deklarimet e mia pasurore, për pasaportën amerikane. Le të kërkojë sa të dojë, Lulzim Basha nuk ka asgjë për të fshehur. Unë kam një keqardhje të madhe, sepse për tri ditë është harxhuar kaq shumë bojë nga kundërshtari dhe kaq shumë kohë televizive duke shpifur dhe përbaltur, duke bërë sulme me një përbuzje totale të vërtetë. Çfarë ka fituar Tirana nga kjo përbaltje? Asgjë. Nuk më vjen keq që këto drejtohen kundër meje.
Qytetarët duan të dinë se kush do të jetë qytetari i parë i kryeqytetit…
Sigurisht që po, kanë të drejtën themelore ta dinë këtë. Kur kemi të bëjmë me sulme të tilla, me gënjeshtra të tilla që bien si kala prej letre, kur të gjitha akuzat janë rrëzuar, me çfarë mbetemi ne? Nuk e kam për sot dhe nuk e kam as për Lulzim Bashën. E kam për përqasjen e re që qëndron në themel të asaj që unë dua të ofroj kontributin e ri që synoj të ofroj nëpërmjet kësaj gare. Çfarë fituam ne? Çfarë fitoi kundërshtari politik? Asgjë. Të gjitha akuzat i ranë përtokë. Çfarë fitoi qytetari i Tiranës? Asgjë. Çfarë fitoi media? Tri ditë trillime ranë poshtë. Imagjinoni sikur këto energji do të ishin përdorur pozitivisht.
Noteri holandez: Pasaporta e Bashës, gabim i zyrës sonë
Lulzim Basha nuk ka pasur pasaporte amerikane kur ka kryer veprimet noteriale për shit-blerjen e apartamentit në Holandë (2001), por pasaporte shqiptare. Duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Socialiste, stafi i kandidatit të maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, shpërndau dje për mediat deklaratën e noterit holandez Ritzo Jacob Holtman. Ai pranoi se ka qenë një gabim i zyrës së tij që ka krijuar keqkuptimin, duke premtuar korrigjimin e noterisë. Sipas Holtman, zyra e tij i është referuar një faqeje të pasaportës shqiptare të Bashës, ku gjendej një vizë amerikane dhe e gjitha kjo ka sjellë ngatërresën. Ja sqarimi i plotë i noterit holandez: “Me datë 21 dhjetor 2001, përpara meje Ritzo Jacob Holtman, noter i të drejtës civile në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (Holandë) u paraqit për hartimin/ekzekutimin e një konktrate shit-blerjeje dhe transferimi pasurie të patundshme, Zoti Basha, lindur më 12 qershor 1974, në Tiranë, (Shqipëri), për identitetin e të cilit u sigurova nga pasaporta shqiptare me numër identifikimi 0160138, e dorëzuar në praninë time. Në këtë pasaportë shqiptare ishte vulosur një vizë Amerikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një punonjës i zyrës sonë noteriale, pasi fotokopjoi faqen e pasaportës në të cilën ndodhej viza amerikane (bashkëngjitur), shënoi gabimisht në kontratën e transfertës së pronës së paluajtshme se pasaporta në fjalë ishte amerikane, ç’ka ishte një shënim i pasaktë nga ana e punonjësit. Kontrata duhej të shkruante se z. Basha u identifikua nga pasaporta e tij shqiptare. Zyra jonë noteriale do të korrigjojë këtë gabim material të shënuar në këtë kontratë dhe do ta regjistrojë korrigjimin në Agjencinë Publike të Regjistrit të Tokës së Holandës. Sinqerisht/R. J Holtman/ noteri”.
© Panorama.al











