Basha: Do jap 600 bursa në vit për studentët

Apr 6, 2011 | 12:04
Basha me banorët e Njësisë Nr.2 në Tiranë

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, shpalosi dje programin e tij për studentët e kryeqytetit. Nën emrin “Tirana e 100 mijë studentëve”, Basha bashkëbisedoi me studentët e Universitetit të Tiranës dhe të një universiteti privat për programin e tij, duke premtuar lehtësi për ta. Në përgjigje të pyetjeve të studentëve, Basha shpjegoi se si do të jetë marrëdhënia mes Bashkisë dhe studentëve në të ardhmen. Ai tha se pjesë e rëndësishme e projektit të tij është aplikimi i Kartës Studentore, e cila do të jetë një dokument që do t’u sigurojë studentëve lehtësira dhe privilegje të ndryshme, sikurse funksionon në kryeqytetet e Europës. “Më lejoni ta shpall edhe këtu, si një përgjigje ndaj kërkesës tuaj, por edhe si një realizim i një të mire që e kam prekur dhe shijuar vetë si student, aplikimin e shpejtë të Kartës Studentore bashkiake… Kjo kartë duhet dhe do t’i ofrojë studentit në Tiranë të gjitha lehtësirat e duhura për t’ia bërë jetën atij apo asaj, sa më të mirë dhe sa më komode. Çfarë duhet të përmbajë kjo kartë? Së pari, transport publik falas për të gjithë studentët e Tiranës dhe, së dyti, tarifa falas apo të reduktuara për shërbimet komunitare që ofron Bashkia dhe rrjeti i institucioneve të kryeqytetit. Dhe me këtë kam parasysh, në radhë të parë, institucionet kulturore dhe argëtuese ekzistuese, si edhe ato që së shpejti do të jenë realitet i kësaj Tirane –  që nga kinematë e munguara, te teatri, opera dhe çdo institucion tjetër që duhet të jetë pjesë e jetës së çdo studenti të Tiranës”, tha Basha. Kandidati i maxhorancës shtoi se Bashkia do të japë mëse 600 bursa në vit, 100 për më të talentuarit dhe 500 bursa për studentët në nevojë. “100 bursa për studentët ekselentë dhe 500 bursa për studentët në nevojë të Tiranës, do të jenë pjesë e pandarë e buxhetit bashkiak. Ne duhet të vlerësojmë ekselencën dhe ta shpërblejmë atë, si e vetmja rrugë për të identifikuar më të mirën rreth nesh dhe për të nxitur studentët, për të nxitur çdokënd që rend pas më së mirës”, tha Basha. Ai përsëriti premtimin për ndërtimin e një biblioteke të madhe për studentët në Tiranë. “Krijimi i ambienteve me një infrastrukturë moderne europiane është një domosdoshmëri për t’i dhënë çdo studenti në Tiranë lehtësitë e nevojshme për të studiuar, jetuar dhe për të dhënë kontributin e vet për bashkëjetesën qytetare. Krahas këtij angazhimi, dua të përsëris sot para jush impenjimin tim si kryebashkiak i ardhshëm që, brenda vitit të parë, të çajmë tokën për të nisur punimet e Bibliotekës Universitare bashkiake të Tiranës. Një bibliotekë model, e cila jo vetëm do të sigurojë akses të plotë dhe të mjaftueshëm për të gjithë studentët e qytetit, por do ta realizojë këtë me parametrat më modernë të aksesit në internet dhe me një fond të mjaftueshëm biblioteke”, tha Basha. Një pikë e ndjeshme për studentët është çështja e punësimit. Shumë të rinj pajisen me diploma, por e kanë të vështirë të gjejnë mundësi për ushtrimin e profesionit të zgjedhur. Nga ana tjetër, Tirana ka shumë biznese që kanë nevojë për specialistë dhe profesionistë të shkolluar. Pra mungon një hallkë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës dhe këtë rol, sipas Bashës, do ta luajë Bashkia. “Po kështu, ka dhjetëra, qindra, mijëra biznese, të cilat sot, në këtë moment që flasim, kërkojnë punë të kualifikuar. Ka ikur koha kur tregut të punës t’i vazhdojnë t’i shërbejnë metodat e vjetra… unë njoh dikë, mikun, shokun, xhajën, dajën. Bashkia e Tiranës duhet dhe do të marrë përgjegjësitë për të qenë porta kryesore e informacionit që do të lehtësojë komunikimin midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, përmes një sistemi modern informacioni të tregut të punës. Dhe kjo duhet dhe do të jetë një përgjegjësi thelbësore e Bashkisë së Tiranës. Bashkia duhet të luajë një rol të rëndësishëm në përgatitjen tuaj, nga auditorët e universiteteve deri te tregu i punës, dhe kjo realizohet kur ne marrim së bashku përgjegjësi”, u shpreh Basha.

Beteja në Facebook

Veç takimeve në rrugët e kryeqytetit, kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ai i partisë Socialiste, Edi Rama, po vijojnë betejën e tyre edhe në rrjetin social “Facebook”. Vetëm dy ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale, Lulzim Basha numëronte deri mbrëmë në orën 23:00, 51 mijë mbështetës në adresën e tij zyrtare, ndërsa kandidati i opozitës diçka më shumë se 30 mijë,  me një diferencë prej 21 mijë fansash.

© Panorama.al

Te lidhura