Basha: Do anuloj pallatet shumëkatëshe tek Liqeni Artificial

Apr 8, 2011 | 11:25

Kandidati i PD-së për kryetar bashkie të Tiranës, Lulzim Basha, tha dje se në zonën e Liqenit nuk do të lejohet asnjë pallat i ri.

Kur një ministër siç është ministri i Brendshëm, i cili ka shëtitur tri ministri, lë postin e tij për t’u përballur? Është zgjedhja juaj apo ka qenë një detyrim?
Të jeni i bindur se ka qenë plotësisht vullneti im, dëshira ime dhe shansi im për të pranuar këtë privilegj, këtë përgjegjësi, detyrë të cilën ma besuan jo rastësisht. Për sa i përket përballjes, janë dy gjëra, e para për mua nuk është rivali im, por është me problemet e jashtëzakonshme të akumuluara nga ky qytet është me hallet e qytetarëve, është me vizionin tim për të ndryshuar Tiranën. Për sa i përket kandidatit tjetër, mendoj se është rivali më i dobët që mund të kisha përballë nga Partia Socialiste. Për tri arsye. E para mendoj se është vendi i gabuar, koha e gabuar dhe njeriu i gabuar për qytetin e Tiranës. Siç e ka thënë dhe vetë, nuk garon se e shikon të domosdoshme projektin e tij të mëtejshëm në qytet, por për postin e Kryeministrit.
Shtypi ka botuar faktin që bashkëshortja juaj ka lënë shtetësinë shqiptare dhe ka marrë atë holandeze, madje s’do ketë mundësi të votojë për ju si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Përse bashkëshortja juaj ka lënë nënshtetësinë shqiptare dhe a mund t’i mbante ajo të dyja nënshtetësitë?
Bashkëshortja ime ka lënë nënshtetësinë në vitin 2003, kur ishim të fejuar. Ajo punonte në Amsterdam në një fondacion që promovonte marrëdhëniet mes parlamenteve të vendeve të Europës ish-komuniste dhe Evropës Perëndimore dhe në këtë kuadër, i lindte nevoja të udhëtonte në shumë vende. Për fat të keq, nga ai moment deri para 3 muajsh, me pasaportën shqiptare s’ka qenë një gjë e thjeshtë dhe si qindra mijëra bashkëqytetarë tanët, është detyruar të kërkojë shtetësinë e vendit ku jetonte, ndër të tjera për të lehtësuar edhe këtë pjesë të pashmangshme të profesionit të saj.
Mund t’i mbante të dyja nënshtetësitë?
Absolutisht jo. Riciklohet kjo shpifje sa herë që vijnë fushatat. Ligji holandez e ndalonte kategorikisht mbajtjen e dyshtetësive. Ajo që është absurde edhe këtu procedohet me një akuzë, kësaj radhe personale, familjare për një fakt që ka prekur për shkak të historisë së dhimbshme të tranzicionit qindra mijëra shqiptarë. Çfarë duhet të themi, që qindra mijëra shqiptarë të cilët janë detyruar në rrethana të ngjashme apo të njëjta si bashkëshortja ime të kërkojnë shtetësinë e vendit ku jetonin dhe banonin, ku për shkak të ligjeve janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia shqiptare, s’janë më të denjë dhe të mirëpritur të japin kontributin e tyre në këtë vend, të rikthehen në Tiranë dhe Shqipëri dhe të bëhen pjesë e të ardhmes së vendit tonë? Është një absurditet, është një tregues se deri ku shkon politika e përbaltjes dhe akuzës, deri ku shkon paniku i mungesës së bilanceve dhe alternativës.
Ky ishte një vëzhgim i shtypit, besoj kishin të drejtë dhe detyrimin ta sqaronit…
Unë e kam sqaruar këtë dhe jam gati ta sqaroj çdo herë. Nuk ishte vëzhgim i shtypit, por një fabrikim, një akuzë, një përpjekje për të prekur ndjeshmërinë e publikut dhe për ta politizuar një çështje fare të zakonshme mes shqiptarëve të 20 viteve të fundit, siç është marrja e një shtetësie dhe lëshimi i detyrueshëm i shtetësisë shqiptare, siç ka ndodhur me dhjetëra mijëra familje shqiptare sot. Kjo nuk i bën ata shqiptarë më pak të denjë, as bashkëshortë më pak të denja, as nëna më pak të denja, thjesht reflekton një pjesë të dhimbshme të tranzicionit shqiptar, e cila pjesërisht falë edhe kontributit tim, sot ka marrë fund, sepse prej 4 muajsh shqiptarët s’do kenë më nevojë të kërkojnë pasaportat e vendeve, ku ata mund të kenë jetuar për një kohë të gjatë, por të përdorin shtetësinë e tyre dhe të gëzojnë të drejta pothuajse të barabarta.
Çfarë vizioni keni për lejet e ndërtimit?
Plani urbanistik, 12 muaj pas zgjedhjes…
Plani urbanistik është bërë…
Është plan klientelist, jo transparent dhe nuk respekton dy parimet bazë që unë përmenda, formulë të drejtë të vlerësimit të pronës private dhe rifitim të hapësirave publike…
Ku do t’i gjeni hapësirat publike?
Do t’i gjejmë brenda kësaj Tirane, duke i mohuar klientelës koeficientin 50, 60, 80 dhe duke u dhënë qytetarëve të Tiranës mundësinë për të zhvilluar pronën e tyre. Në të njëjtën kohë, duke zhvilluar nëpërmjet transferimit të së drejtës së zhvillimit edhe asetet publike si rrugët, shkollat, çerdhet. Situata është jashtëzakonisht e vështirë, por nuk është e pashpresë dhe nëse ka vullnet, unë e kam këtë vullnet, me ekspertë të fushës, me vullnet politik mund dhe do t’i dilet në krye që këtë situatë kaotike të sotme ta kthejmë në plan konkret.
Ku do t’i gjeni hapësirat, sepse qeveria juaj dhe Bashkia e Tiranës kanë firmosur një projekt, që edhe fushat e Dinamos e të Liqenit të kthehen në pallate shumëkatëshe?
Së pari, fushat ekzistuese dhe hapësirat e gjelbra nuk do preken më. Me mua kryebashkiak, asnjë fushë ekzistuese dhe asnjë hapësirë e gjelbër nuk do preket. Do ketë një moratorium mbi to, nuk do ketë leje ndërtimi. Duke filluar nga fusha që përmendët te diga e Liqenit.
Plani që ka firmosur kryetari i Bashkisë dhe Kryeministri, nuk do ekzekutohen?
Nëse është në dorën time, nuk do ekzekutohen. Ku ka akoma ambiente të paprekura, nuk do preken.
Përfshi edhe kopshtin botanik?
Përfshi edhe kopshtin botanik, i cili nuk do preket në asnjë drejtim. Fakti që u detyrua të shtyhej projekti, në një anë ishte sepse klientela ndërtoi pallatin në anën tjetër, aty ku do vinte unaza. Të mos merremi, sepse po të flasim për të kaluarën, janë 11 vjet të kaluara. E kuptoni se sa duhet të rrimë këtu ne, për të bërë kritikën e 11 viteve?
Qeveria nuk e ka bërë ligjin e urbanistikës…
Ligji i Urbanistikës ka kaluar në Parlament. Lejet e ndërtimit, pas bërjes së planit urbanistik të Tiranës do të jepen brenda 30 ditëve me formulën ‘one stop shop’. Pra, 12 muajt e parë do përfundojë plani urbanistik i Tiranës dhe brenda korrikut 2012 lejet e ndërtimit do jepen brenda 30 ditësh.
Po këto 12 muaj si do jepen?
Këto 12 muaj do ketë një moratorium, derisa të përfundojë plani urbanistik, sepse përndryshe në çdo lagje do t’i bjerë dikujt “bixha”, siç thonë në Tiranë, të ndërtojë dhe gjithë pjesa tjetër e lagjes do të mbetet me gisht në gojë. Kjo është formula që ka shkatërruar Tiranën, kjo formulë do marrë fund. Qytetari do të thotë bashkëjetesë dhe bashkëjetesë do të thotë të ndajmë së bashku gjithçka që kemi, jo në kuptim kolektiv të fjalës, por proporcional të fjalës.
Po për Piramidën?
Çështja e piramidës është një çështje që ngërthen disa çështje brenda vetes. Unë personalisht nuk jam për prishjen e Piramidës, por jam për ndërtimin e një parlamenti. Këtij vendi i duhet një parlament dinjitoz, i cili përfaqëson shumë më shumë se sa godina ku strehohet legjislativi, përfaqësuesi i vullnetit çdo katër vjet i qytetarëve shqiptarë. Ndërtimi i parlamentit duhet bërë patjetër. Sa për Piramidën, nuk jam domosdoshmërisht për prishjen e Piramidës, por nga ana tjetër parlamenti duhet ndërtuar dhe unë e përkrah idenë e ndërtimit të parlamentit. Piramida nuk ka vlera historike, nuk ka asnjë akt të rëndësishëm të historisë së vendit që ka ndodhur në atë ndërtesë dhe për momentin do ta kem të vështirë, në qoftë se e çpolitizojmë diskutimin, nëse e heqim këtë përplasje, sepse çdo gjë po bëhet politike, duhet të çllogorizohet. Por nëse ne i largohemi dhe e shikojmë me një sy të thjeshtë, vlera historike nuk ka, besoj për këtë jemi dakord. Sa i përket vlerave kulturore ,në gjendjen në të cilën është katandisur, jo sot por prej vitesh, nuk besoj se përfaqëson diçka të veçantë. Pavarësisht kësaj, nuk jam për prishjen e Piramidës, por jam për ndërtimin e parlamentit dhe në qoftë se vendi për të ndërtuar atë është pikërisht piramida, mendoj se është zgjidhja e duhur.
Dëgjova në një nga kronikat që dikush ju tha që keni punuar kamerier. Bëhet fjalë për në Holandë, apo në Shqipëri?
Jo, në Shqipëri. Bëhet fjalë për pushimet e verës, kur kam qenë në vit të tretë gjimnaz, pa hyrë në vit të katërt, kam punuar për 3 muaj, sepse u shty edhe shkolla. Ishte viti 1991. Kam punuar si kamerier në Rinas. Nga 15 qershori, deri diku nga 15 shtatori.
Çfarë do bëhet me punonjësit aktualë të Bashkisë, do t’i shkarkoni nga puna?
Nëpunësit civilë të Bashkisë së Tiranës, një pjesë e mirë e të cilëve kryejnë detyrat e tyre në situata aspak të favorshme, për shkak të klimës së papranueshme politike, të luftës politike, që ka zëvendësuar për fat të keq axhendën e kryetarit, atë që duhet të jetë axhenda e tij, nuk kanë dhe nuk duhet të kenë asnjë frikë nga ndërrimi i natyrshëm dhe ardhja ime si kryebashkiak. Interesat e qytetarit, ata që duan t’i shërbejnë edhe kur nuk e kanë mundësinë, do të vazhdojnë t’i shërbejnë edhe nesër interesave të qytetarit.

“Apartamentet e reja, me tapi brenda 6 muajve”

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha premtoi dje hipotekimin e apartamenteve të reja. Ky ka qenë pikërisht një nga shqetësimet që ka dëgjuar Basha gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë Nr.7. Duke iu përgjigjur interesit të një banoreje, Basha tha se ky problem do të gjejë zgjidhje brenda 6 muajve të parë të mandatit tij. “Shtëpitë e pahipotekuara do të thonë të paktën 700-800 milion euro kapital i ngrirë në këtë qytet. Unë brenda gjashtë mujorit të parë ju jap fjalën që ky kapital do të shkrihet dhe banorët do të marrin hipotekimin e banesave”, tha Basha. Me takimet me qytetarët e Njësisë Nr. 7 në kryeqytet, Basha ka përfunduar mbrëmë turin e dëgjimit në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës. Gjatë paradites Basha, u takua dje me fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollën “Luigj Gurakuqi”. Kandidati i PD u shpreh se përkujdesja dhe lehtësitë në infrastrukturë për fëmijët me aftësi të kufizuara zënë një vend të veçantë në programin e tij. Ai bëri të ditur se do të rrisë fondet për financimin e projekteve në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara, sikundër në bashki do të funksionojë një këshill i veçantë për këta persona. “Buxheti i kësaj shkolle që ka të bëjë me investimet dhe shpenzimet, do të jetë i rishikuar në favor të kësaj shkolle dhe aktivitetit të saj. Jo gjithçka do të varet vetëm nga dora e vullnetarëve, që u jemi mirënjohës. Unë kam në plan ngritjen e një Këshilli, të kryesuar nga kryetari i Bashkisë, me pjesëmarrjen e të gjitha organizatave të personave me aftësi të kufizuar, sepse interesi i tyre shprehet më mirë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre dhe zëri do t’u dëgjohet në kryeqytet”, tha Basha. Mungesa e vëmendjes së Bashkisë ndaj kësaj shtrese ka qenë një shqetësim i ngritur sistematikisht prej tyre.

 

BLENDI FEVZIU

© Panorama.al

Te lidhura