Basha: Bulevardi, deri te Lumi i Tiranës

Apr 23, 2011 | 11:09
Basha, dje gjatë aktiviteteve për Ditën e Tokës

Stacion inter-urban për automjetet dhe dy nënkalime. Ky është projekti i kandidatit për kryetar të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, për zhvendosjen e Stacionit të Trenit.Lajmin e bëri të ditur në takimin me banorë të Njësisë Bashkiake Nr.11 në Laprakë, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj Njësie, Haki Mustafa. “Zgjatimi i bulevardit nga Stacioni i Trenit te Bregu i Lumit do të shoqërohet me ndërtimin e stacionit të ri të trenit dhe të stacionit inter-urban të Tiranës, këtu në afërsi të Laprakës. Bashkë me stacionin e trenit ne do të zhvendosim edhe atë pjesë të hekurudhës, e cila kalon këtu në njësinë tuaj vendore, në një nga lagjet më të diskriminuara që merr jetën e banorëve në mënyrë të vazhdueshme. Po kështu, ju jap fjalën se investimin e gabuar që ndau Laprakën nga pjesa tjetër e qytetit, dhe për të cilën me dhjetëra e dhjetëra qytetarë të lagjes suaj paguan me jetën e tyre, ne do ta zhbëjmë – duke ndërtuar të paktën dy nënkalime që do të lidhin këto dy pjesë të Tiranës”, tha Basha. Për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të hapur vende të reja pune, ai premtoi më tej se brenda gjashtë muajve të parë si kryebashkiak, do të nisë punimet për Unazën e Madhe të Tiranës. Më pas, Basha ka vijuar fushatën elektorale te Bregu i Lumit, të cilën e konsideroi si zona më e diskriminuar në Tiranë, ndërsa ka dëgjuar ankesat e banorëve. “Duam veç rrugën. Dal në 5 të mëngjesit, vij në 2. Punoj kameriere, veç në baltë eci. Kanalizimet e gjithë Tiranës kalojnë këtu, poshtë nesh dhe derdhen në breg të lumit. Vijnë këtu në turinjtë e fëmijëve tanë. Edhe rrugën, ja shihe…”, i tha Bashës një banore. Pas kësaj bisede dhe të tjera si këto, Basha i garantoi banorët se do t’i jepet fund diferencimit në investime dhe mbledhjes së taksave pa siguruar shërbime. Ai premtoi se ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por ato do të përpunohen si në çdo kryeqendër tjetër europian. “Çdo shtëpi tek Bregu i Lumit nuk do të jetë më një dëshmi diskriminimi, por do të jetë një pasuri. Për këtë ju jap fjalën sot dhe, në të kundërt, pas katër vitesh do t’më bëni përgjegjës”, tha Basha, duke premtuar se taksat e Bashkisë do të aplikohen minimalisht dhe banorët e kësaj zone do të kenë ndihmë sociale, ashtu siç duhet të ketë çdo qytetar në nevojë.

Dita e Tokes

Dje, në Ditën e Tokës, Basha iu bashkua iniciativës së anëtarëve të Klubit Studentor për Edukim Mjedisor, për vendosjen e 50 koshave të grumbullimit të mbetjeve në rrugën “Hoxha Tahsim”. “Duhet ndërhyrje e menjëhershme, shtrirja e rrjetit të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë qytetin dhe së dyti, ndërtimi i sistemit të diferencuar të trajtimit të tyre. Ndarja në tre kazanë – mbetje plastike, mbetje qelqi dhe mbetje letre. Këtë skemë përdor qyteti i Lezhës, këtë skemë përdor sot çdo qytet europian i vogël apo i madh. Modernizimi i infrastrukturës mbledhëse dhe monitorimi i rreptë dhe i përditshëm është shërbimi që do të ofrojmë”, tha Basha.

Rajomnda Bulku

Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, akuzoi dje për betonizimin e  Tiranës kryebashkiakun Edi Rama. “Sot është dita e tokës, por jo për Edi Ramën: Për të, sot është dita e betonit”, tha ajo. Sipas saj, janë 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës. Deputetja Bulku nënvizoi se normat e ndotjes në Tiranë janë afërsisht 3 herë më të larta se të BE-së dhe vetëm nga ndotja e ajrit vdesin çdo vit 17 foshnja në 1 000. Ajo hodhi akuza ndaj Bashkisë së Tiranës se të ardhurat vjetore nga tarifa e pastrimit, që janë 4.6 milionë dollarë, i përdor për të tjera interesa të saj.

Mediu në Has

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u ndal dje në Bashkinë e Krumës, në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Duke renditur ato që i cilësoi projekte madhore te realizuara nga qeveria, Mediu premtoi një autostradë të re: “Rruga tjetër në projektet e afërta të qeverisë është Kukës-Has-Gjakovë, e cila do të ndryshojë tërësisht statusin ekonomik dhe social të kësaj zone të mrekullueshme”. Sipas tij, 8 maji është një vazhdim i rrugës në çdo fshat, çdo komunë, çdo qytet dhe çdo bashki. Më pas, Mediu zhvilloi takime edhe me elektoratin e Fushë-Arrëzit, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura