Gati 3 minuta pas orës 13.00 të ditës së djeshme, në faqen zyrtare të Lulzim Bashës në “Facebook”, u shënua shifra 100 mijë. Ndërkohë deri në mbrëmje numri i fansave i kaloi 104 mijë. Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, postoi menjëherë një shënim on-line, duke i falënderuar të gjithë mbështetësit e tij. “Ndihem i nderuar, i privilegjuar dhe i prekur nga përkushtimi, optimizmi dhe entuziazmi i secilit prej jush. Çdo minutë e juaja do të thotë shumë dhe unë nuk gjej fjalë për të përshkruar ndjenjat e respektit dhe mirënjohjes për secilin prej jush. Bashkë ne do të bëjmë të mundur ndryshimin e madh për Tiranën. Bashkë ne do të krenohemi me Tiranën europiane”, thuhet në mesazhin e postuar nga Basha. Kjo është një shifër rekord në mediumin on-line e arritur deri më tani. Në minutën kur shifra e mbështetësve të Bashës u bë me 6 shifra, rivali socialist, Edi Rama numëronte në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, 58.574 mbështetës, ndërkohë që deri në mbrëmje kjo shifër shkoi mbi 60 mijë. Faqet në “Facebook” të kandidatëve për Tiranën janë një nga risitë e kësaj fushate. Përfshirja masive e qytetarëve në këtë lloj mediumi, ka qenë që herët në vëmendjen e Lulzim Bashës. Kandidati i “Aleancës për qytetarin” ndan në faqen e tij aktivitetet, fotot, mesazhet dhe programin e tij për kryeqytetin. Gjithashtu, të njëjtën gjë bën edhe kandidati i “Aleancës për të ardhmen”. Mendohet se shumica e militantëve të “Facebook” janë të rinj. Kjo është një gjeneratë e rëndësishme votuesish në Tiranë. Sipas identifikimit që bëjnë vetë aplikuesit e këtij medium, rreth 70% e tyre janë banorë të Tiranës. Pjesa tjetër janë nga rrethet dhe nga jashtë Shqipërisë. Në një farë mënyre ky mund të quhet sondazhi i parë i pëlqimit nominalisht të kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Numri i mbështetësve on-line, të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës rritet çdo ditë, mirëpo diferenca mbetet e madhe. Lulzim Basha ka aktualisht gati dyfishin e mbështetësve që ka Edi Rama.
“Ulja e taksave hap 10 mijë vende pune”
Politikat fiskale në platformën afatshkurtër dhe afatmesme do të sjellin hapjen e 10 mijë vendeve të reja pune në kryeqytet. Kështu u shpreh dje kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me bizneset e fasonëve. “Taksa më të ulëta për mua do të thonë punësim. Në platformën time të reduktimit të taksave, biznesi në Tiranë do të mund të gjenerojë mbi 4 mijë vende të reja pune. Vendet e punës do t’i hapni ju dhe ndihmën do t’ua japë Bashkia përmes uljes së taksave. Tarifa e pastrimit do të ulet nga 5 deri në 10 herë. Në fillim do të nisim me një paketë prej 2 milionë eurosh, e cila përkthehet në mundësi kreditimi deri në 20 milionë euro nga bankat e niveli të dytë. Me këtë ne synojmë hapjen e rreth 6 mijë vendeve të reja pune”, tha Basha.
Meta e Koka, mbështetje për Xhaferrajn në Durrës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta hapi dje fushatën në qytetin e Durrësit. I shoqëruar nga deputeti Lefter Koka dhe prefekti, Genci Alizoti, Meta prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferri. Kreu i LSI-së tha se në 8 maj qyteti i Durrësit do të njohë ndryshimin e vërtetë. “Durrësi, tha ai, ka nevojë për një kryetar bashkie, i cili të mendojë për qytetarët dhe pastaj për veten e vet. Në 8 maj Durrësi dhe çdo qytet i Shqipërisë do t’i japë një ndëshkim të madh aleancës së betonit”. Më tej Meta, nga foltorja e Pallatit të Kulturës, shtoi se Ferdinand Xhaferri do të fitojë në zgjedhjet e 8 majit. “Jam i bindur se fitorja në Bashkinë e Durrësit do të jetë e madhe, sepse Durrësi ka probleme të mëdha sociale. Rezultatin më të dëshpëruar Rama do ta përjetojë në Durrës, në 8 maj. Durrësi ka pasur një kryetar, i cili ka parë vetëm punët e tij, dhe jo të qytetarëve në këto 4 vjet. Aleanca “Bashkimi i votave” LSI, PD, duket se do të jenë vendimtare në zgjedhjet e 8 majit në Durrës. LSI është në mbështetje të të gjithë koalicionit të djathtë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me qëllim mirëqenien e komunitetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ndërsa në fjalën e tij, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, deputet i LSI-së, u ka kërkuar mbështetësve të LSI-së votën dhe besimin për të larguar Vangjush Dako. Koka ka akuzuar Dakon si personi, i cili nuk ka mbajtur premtimet, të cilat së bashku i kishin bërë 4 vjet më parë nën të njëjtën çati. l.m.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











