
Pak minuta pas orës 18:00 të ditës së djeshme, në faqen zyrtare të Lulzim Bashës në Facebook, u shënua shifra rekord prej 202 mijë fansash.Kjo është një shifër rekord në mediumin online e arritur deri tani. Në minutën kur shifra e mbështetësve të Bashës u bë 202 mijë, rivali socialist, Edi Rama, numëronte në faqen e tij zyrtare në Facebook, 93 mijë pasues. Faqet në Facebook të kandidatëve për Tiranën janë një nga risitë e kësaj fushate. Përfshirja masive e qytetarëve në këtë lloj mediumi ka qenë që herët në vëmendjen e Lulzim Bashës. Kandidati i Aleancës për Qytetin ndan në portalin e tij aktivitetet, fotot, mesazhet dhe programin e tij për kryeqytetin. Gjithashtu, të njëjtën gjë bën edhe kandidati i Aleancës për të Ardhmen. Dy kandidatët kanë ditë që po zhvillojnë një garë të panjohur më parë për zgjedhjet shqiptare. Rrjeti social “Facebook” po zhvillon dy javët e fundit sondazhin e munguar nga kompanitë e sondazheve zgjedhore, duke dhënë shifra të përditësuara. Mendohet se shumica e militantëve të Facebook-ut janë të rinj. Kjo është një gjeneratë e rëndësishme votuesish në Tiranë. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me të rinj maturantë, Basha i ka pyetur ata për ndjekjen e fushatës së tij përmes Facebook-ut. “Sa prej jush e kanë vizituar faqen time në Facebook? Atëherë ta dini se ai forum nuk është deri më datë 8 maj, por vlerën e vërtetë të komunikimit do ta ketë midis jush dhe kryebashkiakut tuaj të ardhshëm duke filluar nga data 9 maj”, u shpreh Basha. Sipas identifikimit që bëjnë vetë aplikuesit e këtij mediumi, rreth 70 për qind e tyre janë banorë të Tiranës. Pjesa tjetër janë nga rrethet dhe nga jashtë Shqipërisë. Numri i mbështetësve online të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës rritet çdo ditë, mirëpo diferenca mes dy kandidatëve mbetet e madhe. Aq sa momentalisht Lulzim Basha ka më shumë se dyfishin e pasuesve që ka Edi Rama. Kjo shifër tregon qartë se qytetarët e Tiranës ndiejnë nevojën e ndryshimit dhe entuziazmi që ata shprehin dallohet te mbështetja që japin për Lulzim Bashën. Lulzim Basha ka premtuar se do të ruajë këtë mënyrë komunikimi me qytetarët edhe pasi të zgjidhet kryetar Bashkie.
Dhjetë ditë më parë, në faqen zyrtare të Lulzim Bashës në Facebook u regjistrua shifra e 100 mijë fansave. Po atë mbrëmje, numri i fansave i kaloi 104 mijë. Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, postoi atë ditë menjëherë një shënim online, duke i falënderuar të gjithë mbështetësit e tij. “Ndihem i nderuar, i privilegjuar dhe i prekur nga përkushtimi, optimizmi dhe entuziazmi i secilit prej jush. Çdo minutë e juaja do të thotë shumë dhe unë nuk gjej fjalë për të përshkruar ndjenjat e respektit dhe mirënjohjes për secilin prej jush. Bashkë ne do të bëjmë të mundur ndryshimin e madh për Tiranën. Bashkë ne do të krenohemi me Tiranën europiane”, u shpreh Basha në mesazhin e parë, pas thyerjes së rekordit të 100 mijë fansave në Facebook. Ishte kandidati demokrat për Tiranën, i cili hapi i pari profilin e tij elektoral në Facebook, duke e pasuruar minutë pas minute me njoftime për takimet me qytetarët. Faqja e tij u bë shpejt e dashur dhe e klikueshme për të rinjtë, të cilët janë përdoruesit më të mëdhenj të këtij forumi social. Nuk mungojnë në të opinionet dhe këndvështrimet e të rinjve rreth problematikës së Tiranës.
Basha: Njësitë vendore për lejet e ndërtimit
Kandidati demokrat për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, vazhdoi fushatën e tij në lagje të ndryshme të kryeqytetit, që nga Bregu i Lumit, deri te Liqeni Artificial. Në Njësinë Bashkiake Nr. 1, banorët i kanë treguar Bashës se janë detyruar të kryejnë ndërtime pa leje, pasi bashkia nuk u ka kthyer përgjigje për kërkesat e tyre, sikundër janë detyruar që t’i japin ryshfet Policisë Bashkiake për t’i lejuar të vazhdojnë këto punime. Kjo praktikë, sipas Bashës, do të marrë fund më 9 maj dhe qeverisja do të vijë më pranë qytetarëve, duke u kaluar njësive vendore kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimit në volume të vogla. Banorët e Bregut të Lumit u ankuan për plehrat e lumit Lana. Sipas tyre, situata është shumë e rënduar, por në kohë fushate tregohet vetëm pjesa e lumit në qendër të Tiranës. Basha premtoi dje shtimin e hapësirave të gjelbra.
Lulzim Basha u uron të krishterëve Pashkët
Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i uroi besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë, për festën e ringjalljes së Krishtit. “Uroj sot përzemërsisht të gjithë të krishterët me rastin e Pashkëve. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj dite, shpreh bindjen se të gjithë gjejmë sot forcë për ringjallje dhe shpresë. Gjithashtu, besoj se kjo ditë na bën të gjithëve të reflektojmë, që të bëhemi më të mirë, secili në punën dhe pozicionin e tij”, shprehet Basha në urimin e tij.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











