TIRANE – Avokatët e të pandehurit Lulzim Berisha hoqën dorë dje nga pyetja e tre dëshmitarëve të thirrur në proces prej tyre, mes të cilëve edhe familjarë të të penduarit Adriatik Coli. Në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve si “anëtarë” të Bandës së Durrësit gjykata vijoi më marrjen e provave me dëshmi. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Grurali Brahimllari, njoftoi palët se në ambientet e gjykatës ishin paraqitur dëshmitarët Shkëlqim dhe Rudina Coli, përkatësisht vëllai dhe bashkëshortja e të penduarit. Sipas kryesuesit Brahimllari, ashtu siç ishte vendosur më parë, marrja e dëshmisë së tyre do të realizohej nëpërmjet video-konferencës. Por menjëherë pas relatimit të këtij fakti, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Lulzim Berisha në proces, avokati Ilia Ilia kërkoi heqjen dorë nga këta dëshmitarë. Gjithashtu, avokati kërkoi heqjen dorë edhe nga dëshmitari tjetër N.Jaho. Kërkesa e mbrojtësit u pranua nga gjykata. Në vijim, trupa gjyqësore u njoh me dëshminë e dëshmitarit Servet Lato. Para gjykatës, dëshmitari Lato rrëfeu dijeninë e tij mbi ngjarjen, ku është vrarë Dritan Disha në Shënavlash të Durrësit. “Ishte darkë vonë. Unë po haja darkë me bashkëshorten, kur dëgjuam krisma armësh”, rrëfeu dëshmitari, pa zbardhur detaje të tjera mbi ngjarjen. Në përfundim të dëshmisë së Latos, seanca u shty me kërkesë të të pandehurve Endrit Dokle dhe Isuf Buna. Të pandehurit kërkuan praninë e avokatëve të tyre mbrojtës, të cilët mungonin që në nisje të seancës. ar.ba











