Bajram Begaj pret në takim Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi! Presidenti kërkon më shumë bashkëpunim mes shqiptarëve të Luginës, për të mbrojtur të drejtat ligjore!

Jun 9, 2025 | 17:38

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, të kryesuar nga Kryetari i këtij Këshilli, Enkel Rexhepi.

Screenshot_13

Presidenti i Republikës uroi Rexhepin për marrjen e detyrës dhe e siguroi se ai e ndjek nga afër, edhe si një detyrë kushtetuese, të gjithë situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kreu i Shtetit theksoi se për Institucionin e Presidentit të Republikës, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve, si dhe kultivimi dhe avancimi i identitetit kombëtar dhe kulturor të tyre, janë në fokus të veprimtarisë së tij.

Presidenti Begaj kërkoi më shumë bashkëpunim mes shqiptarëve të Luginës dhe përfaqësuesve të tyre politikë e institucionalë.

“Në të gjitha takimet e mia me partnerët ndërkombëtarë, kam ngritur dhe do të vijoj të ngre çështjen e pasivizimit të adresave, të përdorimit dhe respektimit të gjuhës shqipe, të ruajtjes së identitetit kulturor të shqiptarëve të Luginës, si dhe çështjet e arsimit në shqip. Por kërkoj nga ju më shumë bashkëpunim dhe angazhim të fortë në mbrojtje të këtyre të drejtave ligjore tuajat,” theksoi Presidenti.

“Në këtë detyrë jam avokat i shqiptarëve dhe i Shqiptarisë, dhe i tillë do të mbetem edhe përtej këtij funksioni”, tha në përmbyllje të këtij takimi Bajram Begaj.

© Panorama.al

Te lidhura